Sezoni i dimrit vjen me surpriza jo të këndshme, duke na sjellë jo vetëm gripin, por edhe sinusitin.

Në periudhat e ftohta sinusiti fillon të shfaqet, sidomos pas një gripi të gjatë. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”,
mjeku popullor Ylli Merja tregon simptomat kryesore të sëmundjes, të cilat nuk duhen neglizhuar, për të parandaluar kështu në kohë përkeqësimin e saj. Më tej, mjeku thekson se nëse nuk trajtohet në kohë, sinusiti mund të çojë deri në shfaqjen e migrenës.
Sipas Merjas, përdorimi i kungullit të egër dhe propolisittë bletës janë një kombinim perfekt për të kuruar sëmundjen nëpërmjet mjekësisë alternative.
Si fillon sinusiti dhe cilat janë moshat më të prekura?
Sinusiti shfaqet në mosha të ndryshme, duke filluar që nga fëmijët deri tek të moshuarit.
Mund të shfaqet pas një gripi, pas një infeksioni i cili kalon në hundë dhe zhvillohet aty më tej psh., Stafilokoku apo Streptokoku.
Shumë individë e ngatërrojnë dhimbjen e kokës që vjen nga sinusiti me dhimbjen e kokës të migrenës apo me dhimbjen e kokës nga dehidratimi.
Si mund ta dallojmë që kemi sinusit?
Sinusiti shkakton dhimbje të kokës në pjesën e përparme të saj.
Kjo dhimbje fillon të shfaqet kur ne sapo na ka prekur një grip, apo një virozë dhe kemi rrjedhje te hundëve.
Pas 3-6 ditësh një virozë e lehtë kalon, nëse akoma vazhdoni të keni rrjedhje të hundëve të vazhdueshme do të thotë se jeni në hapat e para të sinusitit, faza numër 1.
Sinusiti në këtë fazë është i lehtë dhe mund të kalojë shumë thjeshtë në kushte shtëpie.
Po në fazën e dytë të sëmundjes, cilat janë shqetësimet që shfaqin pacientët?
Pas kësaj faze rrjedhja e hundëve bëhet nga shumë e shpeshtë në më të rrallë gjatë ditës dhe rrjedhjet janë më viskoze. Këtu fillon faza e dytë kur rrjedhjen fillojnë të bllokohen në sinuse. Kjo fazë është më e vështirë për t’u kuruar, pasi infeksioni është i bllokuar dhe fillon të shtohet. Në këtë moment fillojnë dhimbjet e kokës shumë të forta dhe personi është i rritur mendon se kjo dhimbje shkaktohet nga migrena. Është e vërtetë që nëse sinusiti nuk trajtohet në këtë faze dhe infeksioni vazhdon të qëndrojë në brendësi të sinuseve, atëherë kjo shkon në migrenë në moshë madhore. Por, nëse kapet që në fillim atëherë nuk duhet të lihet pas dore. Të gjitha këto faza m’i kanë përshkruar individët të cilët kanë vuajtur nga sinusiti. Secili më ka dhënë përshtypjet e tyre dhe unë kam arritur në këtë përfundim duke i radhitur të gjitha fazat që kanë kaluar të gjithë personat që unë kam përballur përgjatë punës sime.
Cilat janë simptomat kryesore të sëmundjes?
Simptoma kryesore që sinjalizon sinusitin është dhimbja në zonën e ballit. Edhe nëse uleni për të kapur gishtat e këmbëve dhe keni këto ndjesi: ndjeni pulsim midis syve dhe në zonën e ballit dhe presion në veshë dhe kur çoheni ndjeni marrje mendsh ose errësim të syve, mund të jetë paralajmërim për sinusit. Nuk e duroni dot dritën, kjo është edhe një prej arsyeve pse sinusiti ngatërrohet me migrenën. Ju nuk e duroni dot dritën, sepse infeksioni që ndodhet ne sinuse është rreth syve dhe kështu ju krijon ndjeshmëri më të lartë të syve. Edhe kur jemi të lodhur ne fillojmë të kemi gjumë dhe nuk duam drita shumë të forta kur përgatitemi për gjumë. Sytë ndihen të tensionuar duke qenë gjithë kohën nën presionin e shtypjes së infeksionit dhe kështu lodhen. Duhet t’i drejtoheni mjekut edhe kur keni vështirësi të flini pasi ndjeni presionin e sinuseve kur shtriheni, sidomos në veshë, sy dhe mbi dhëmbët e sipërm.
Si mund ta shërojmë sinusitin me bimë medicinale?
Sinusiti është një sëmundje që shkakton shumë probleme në jetën e përditshme dhe gjendjen tuaj fizike, pasi prek direkt kokën. Prandaj është e rëndësishme të merren masa të menjëhershme. Si fillim për të ndihmuar në pastrimin e sinuseve përdoret kungulli i egër. Ai ndihmon që t’i ngacmojë bakteret që ndodhen në sinuse dhe t’i bëjë që të dalin tërësisht. Kungulli i egër këshillohet të përdoret pasi e keni kaluar gripin dhe kur të ndiheni mirë fizikisht, pasi ju bën të ndiheni të këputur për 2 ditët e para pasi përdoret. Gjithashtu, kungulli i egër duhet përdorur shumë me kujdes, pasi është një bimë shumë e fortë dhe mund t’ju shkaktojë dëme në organizëm nëse nuk përdoret siç duhet. Kungulli është bima çudibërëse për sinusitin, por ai i humbet shumë vetitë e tij kur ekstraktohet. Bima më e fuqishme është bima e njomë, e cila është 100% e efektshme.
Mund të na tregoni si duhet përdorur kungulli për trajtimin e sëmundjes?
Merret një kokërr kungulli i egër, shtrydhet në një filxhan, hiqen tërësisht farat dhe copat e bimës. Tek lëngu i bimës shtohet pak sheqer dhe tretet me lëngun. Merret një pipetë dhe transferohet lëngu në të. Më pas hidhni 2-3 pika në secilën anë të hundës. Mbajeni kokën vetëm 60 sekonda të përkulur mbrapa, mundohuni ta bllokoni lëngun te kalojë poshtë. Pas 60 sekondash, nxirreni lëngun nga hundët komplet. Në këtë moment konsumoni pak gjalpë, ose vaj ulliri dhe pastaj 10 pika propolis. Do të keni shumë teshtitje pasi e hidhni kungullin në hundë, skuqje të syve dhe shenja sikur jeni me grip. Por nuk duhet të shqetësoheni, pasi këto janë vetëm ndjesia që të krijon kungulli i egër. Dhe do të kalojnë pas 2-3 ditësh së bashku me sinusitin.
Kujdes! Kungulli nuk duhet të kalojë në asnjë mënyrë poshtë. Lani duart mirë pasi ta shtrydhni kungullin, ose mund të përdorni një dorezë.
Cilat janë këshillat tuaja për të gjithë të prekurit nga sinusiti?
Pasi aplikoni kungullin e egër, 3 ditët e para duhet të konsumoni propolis blete, 4-5 herë në ditë për fëmijët dhe të rriturit sipas dozave përkatëse. Gjithashtu, duhet të bëni avull vetëm në darkë, pasi ndihmon që të hapen poret dhe sinuset, por nëse dilni jashtë në ajër të ndotur, atëherë akoma më shumë baktere do të hyjnë në hundë e do të zhvillohen aty. Avulli mund të bëhet me çaj për sinusitin. Është një mikser çajrash që ndihmon në hapjen e sinuseve. Ka efekt antibakterial të fuqishëm, ndihmon në luftimin e stafilokokut e streptokokut. Propolisi i bletës duhet të përdoret 4-5 herë në ditë, për 3-4 ditët e para pasi përdorni kungullin. Më pas përdoret vetëm 3 herë në ditë.
Si mund të parandalohet sëmundja?
Nëse jeni duke kaluar një periudhë gripi përdorni çajra që ndihmojnë në rritjen e imunitetit dhe ushqime me vitaminë C, hidhni pika me ujë deti në hundë, bëni avull me çajin mikser për sinosit, si dhe përdorni aerosolet në dhomë dhe hidhni në to vajra esenciale si dafina apo ekualipsi.