Një ngjarje e rëndë tronditi juglindjen e vendit vite më parë.

Në qershor të vitit 2018, i riu 18-vjeçar, Antonio Karafili u gjet i varur në pyllin e Voskopojës. Që prej asokohe zemra e nënës dhe babait të Antonios nuk ka gjetur qetësi dhe kanë kërkuar në çdo instancë drejtësi për djalin e tyre dhe zbardhjen e kësaj ngjarje, pasi ashtu si dhe ata kanë pohuar disa herë, djali i tyre nuk kishte vrarë veten ashtu si dhe u raportua fillimisht.
E teksa kanë kaluar plot shtatë vite nga kjo ngjarje, Prokuroria e qytetit të Korçës, pas një hetimi të thelluar ka arritur që të identifikojë dy autorët të cilët e vranë Karafilin dhe më pas e varën për të fshehur gjurmët dhe për ta “shitur” këtë ngjarje si një vetëvrasje.
Nga hetimet e bëra deri më tani rezulton se Kejsi Spaillari, asokohe vetëm 18 vjeç, së bashku me të dashurin e saj, Rexhep Vathin, e kanë mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe më pas trupin e pajetë të së riut e varën në një pishë.
Mësohet se ndaj Spaillarit, prokuroria e qytetit, me në krye prokuroren e kësaj çështje, Vasjana Postoli, ka lëshuar masën “arrest me burg” për akuzën e “vrasjes me dashje”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa, për Rexhepin Vathin nuk është lëshuar asnjë masë sigurie, duke qenë se ky i fundit ka ndërruar jetë vite më parë.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka mësuar se Kejsi Spaillari është zbuluar nga një gjurmë biologjike ADN, që është gjendur në çarçafin me të cilin ishte lidhur në qafë, Antonio Karafili. Mësohet se e reja nuk ndodhet në territorin e Shqipërisë, por në Kanada, ku dhe prej vitesh jeton.
Vrasja e Antonio Karafilit:
Në 14 Qershor 2018 në pyllin e Voskopojës u gjet i varur në një pemë 18-vjeçari Antonio Karafili. Personi, që e pa për herë të fundit në jetë Antonion, ishte e dashura e tij, Kejsi Spaillari, asokohe vetëm 18 vjeç.
Ngjarja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një lidhje sentimentale që Kejsi Spaillari kishte krijuar paralelisht me Antonio Karafilin dhe Rexhep Vathin.
Asokohe kur policia gjeti trupin e të riut, fillimisht u tha se ishte një vetëvrasje, por nga hetimet e kryera rezultoi se kishim të bënim me një vrasje.
Një detaj i cili shtyu grupin hetimor të kryente më tepër hetime për këtë ngjarje ishte fakti se në momentin kur policia e gjeti trupin e pajetë të së riut, ai u gjet me këmbë në tokë dhe jo i varur plotësisht në ajër. Gjithashtu, Karafili nuk kishte në duar apo në thonjtë asnjë përmbajtje të lëvoreve të pishës, detaj që bindi prokurorinë se i riu nuk kishte hipur në pemë vetëm për të lidhur çarçafin me të cilin është vetëvarur.