Një lajm i trishtë ka ardhur paraditen e kësaj të enjte nga Gjermania ku një nga zërat më të njohur e të respektuar të jetës publike shqiptare, Artan Lame ka mbyllur sytë përgjithmonë.

Burime për mediat bëjnë me dije se Lame, ka ndërruar jetë në moshën 58-vjeçare në shtratin e një spitali në Mynih të Gjermanisë, aty ku dhe një ditë më parë i ishte nënshtruar një ndërhyrje në zemër.
Ky lajm i kobshëm ka futur në zi jo vetëm familjen, të cilëve u iku shtylla e tyre, por edhe miqtë, e të gjithë ata që patën fatin të njihen me figurën e Lames, qoftë personalisht, qoftë dhe përmes ekranit.
Me një profil që shtrihej mes politikës, publicistikës, historisë dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, Lame për vite me radhë u kthye në një figurë të respektuar dhe një ndër njerëzit që asnjëherë nuk heshtën atëhere kur duhej folur me ndershmëri dhe pasion për vendin.
Për vite me radhë, ai drejtoi Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI), duke qenë një ndër figurat më me peshë të administratës publike në periudha të rëndësishme për vendin.
Ai për vite ka qenë aktiv në radhët e Partisë Socialiste, duke përfaqësues shpesh herë një zë racion dhe të kulturuar në debatet publike dhe politike. Por, përtej politikës, Lame do të mbahet mend si një publicist, një opinionist me mendje të mprehtë dhe një studiues me përkushtim të madh në historinë shqiptare.
Për të gjithë që e njihnin, Lame ka qenë një mbrojtës fanatik dhe i palodhur i trashëgimisë tonë kulturore, duke i dhënë zë monumenteve, kujtesës historike dhe nevojës për t’i ruajtur.