Një valë dorëheqjesh ka përfshirë Bashkinë Elbasan në fillim të kësaj jave, pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga kryeministri Edi Rama.
Sipas burimeve zyrtare, dorëheqjet janë paraqitur në mënyrë kolektive nga drejtues të niveleve të larta dhe administratorë të njësive vendore, si pjesë e një procesi të gjerë riorganizimi dhe pastrimi të administratës vendore.
Ky zhvillim vjen në kuadër të përpjekjeve për të rritur efikasitetin, transparencën dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Rama e ka cilësuar më herët këtë proces si një “rilindje institucionale”, e domosdoshme sidomos në bashki si Elbasani, ku janë konstatuar problematika në menaxhimin dhe zbatimin e reformave.
Dorëheqjet pritet t’i hapin rrugë emërimeve të reja, që sipas burimeve pranë qeverisë do të bazohen mbi parimet e meritokracisë dhe integritetit profesional.
Ndërkohë, interes të veçantë ka edhe për ndryshimet e pritshme në drejtoritë rajonale të rëndësishme në qark, për të cilat janë paraqitur së fundmi shumë ankesa pranë kryeministrit.
Qytetarët dhe aktorët lokalë presin me vëmendje hapat që do të ndërmerren për të krijuar një administratë më funksionale dhe më pranë interesave të komunitetit.