Hilsn

E martë e trishtë! Humb jetën bilbili i muzikës popullore shqiptare!

Një ndër zërat bilbil të muzikës popullore shqiptare, djali i Tiranës, Rik Buneci ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 80-vjeçare.

Për të gjithë që patën fatin ta njohin, Buneci përveçse një qytetar model, ishte një mik i mirë, baba dhe gjysh shembullor dhe një artist i cili me plot gojë mund të quhet simboli i këngës popullore qytetare tiranase.

Por, fatkeqësisht ai është larguar nga kjo jetë duke zhytur në hidhërim të thellë familjarët, miqtë, kolegët por dhe ata artdashës e qytetarë të cilët sikur qoftë dhe njëherë dëgjuan tingujt e fizarmonikës dhe zërin e mrekullueshëm dhe të ëmbël të Bunecit.

Rik Bunecin e gjeje aty, në rrugën “Myslym Shyrri”, ku dëgjoje tingujt e fizarmonikës dhe zërin e tij i cili të bënte menjëherë për vete. Pavarësisht moshës, ai nuk ndaloi asnjëherë të këndonte me gjithë shpirtin e me pasionin që nuk i mungoi përgjatë gjithë jetës së tij.

“Muzika më man gjallë! Më heq mërzitjen dhe çdo gjo të keqe. Pa atë nuk e di se si do ia bojsha!”, ka thënë ai një vit më parë në një intervistë të dhënë.

Rik Buneci do të përcillet për në banesën e fundit ditën e enjte, në orën 11:00 ku do të prehet përgjithmonë në “Tufinë”. Ndërkohë, ceremonia motore do të mbahet ditën e nesërme, në orën 11:00 në ambientet e “Funeral Home Alba2000”, tek Rruga e Durrësit.

×