Hilsn

“Varfëria më detyroi!”/ Vajza i dëgjon zërin për herë të parë, nënës i bie të fikët gjatë rrëfimit

Në moshën 3-vjeçare, Linda shkoi nga Shqipëria në Francë pasi u adoptua nga një familje atje.

Ajo e ka ditur gjithnjë që është e birësuar, por kjo është e vetmja jetë që ka njohur dhe s’e ka kthyer kurrë kokën pas. Sot, në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, kjo gjë ndryshon.

Nëna e saj biologjike e ka kërkuar dhe pas 29 vitesh, Linda rikthehet në Shqipëri posaçërisht për të. Ajo shoqërohet nga babai birësues, Filipi dhe një mikeshë, Mimoza. Filipi tregon se kur kërkonin të birësonin, i propozuan Lindën nga Shqipëria.

Ata e morën menjëherë dhe ai e përshkruan si një fëmijë shumë të gjallë e energjik. Nuk ia fshehën kurrë faktin që ishte e birësuar, Linda e dinte këtë që në moshë të vogël. Megjithatë, nuk ka tentuar ta kërkojë nënën biologjike, edhe pse thotë se nuk e paragjykon.

Ardit Gjebrea: Linda, kur more vesh për herë të parë historinë e adoptimit, ishe shumë e vogël, apo jo? Kuptoje? Çfarë mendoje?

Linda: Unë e kam ditur gjithmonë çfarë do të thoshte të ishe një vajzë e adoptuar. Kam qenë gjithmonë shumë e qartë për këtë gjë.

Ardit Gjebrea: Ke menduar ndonjëherë për nënën biologjike? Kush është? Si do të jetë? Të ka shkuar ndërmend ta kërkosh apo hiç fare?

Linda: Në fakt e di që është diçka e rëndë, por nuk e kam kërkuar dhe as nuk kam bërë përpjekje për ta kërkuar. Dhe nëse do më shkonte mendja një ditë për ta kërkuar, normal që do merrja disa informacione më parë.

Ardit Gjebrea: Dhe meqenëse ti dije që ishte nga Shqipëria dhe ti jetoje në Francë gjithë këto vite, kur flitej për Shqipërinë, kishe ndonjë ndjesi brenda teje apo indiferente?

Linda: Mund të them që kam patur, sepse duke e ditur që vij nga Shqipëria… Por pastaj..nuk di ç’të them…

Ardit Gjebrea: Ndërkohë kur gazetarët tanë të kontaktuan, ti ishe disi e shokuar që nëna jote biologjike po të kërkonte. Si e përjetove këtë moment dhe çfarë mendove?

Linda: Në fakt nuk e prisja për të qenë e sinqertë. Por nga ana tjetër ishte kënaqësi që ajo më ka kërkuar.

Ardit Gjebrea: E ke paragjykuar ndonjëherë nënën tënde?

Linda: E kam imagjinuar si mund të ishte historia, por nuk është se kam shkuar kaq larg…

Ardit Gjebrea: Ke hezituar për të ardhur apo pranove menjëherë të vije?

Linda: Kam hezituar pak në fillim, sepse kjo është si një aventurë e vogël. Kemi ardhur nga larg… Është interesante që kam ardhur bashkë me babin dhe kjo gjë më ka shtyrë të vij në Shqipëri.

Ardit Gjebrea: Të pëlqen Shqipëria?

Linda: Po, më pëlqen. S’mund të them jo.

Ardit Gjebrea: Di që je bërë edhe nënë e re?

Linda: Po, jam bërë nënë para pak kohësh.

Ardit Gjebrea shpjegon se Filipi dhe Mimoza do të ulen në vendet e caktuara për ta në publik. Linda do ta dëgjojë zërin e nënës, por nuk do ta shohë ende në murin përballë. E ëma, Rukija, nuk e di nëse e bija është gjetur apo ka ardhur. Ajo ka 4 vite që i shkruan vazhdimisht programit duke e kërkuar. Kur hyn, është e emocionuar dhe ulet në vendin e saj, pa e ditur se në anën tjetër të murit, vajza po dëgjon anën e saj të historisë.

Rukija thotë se ka lindur në Librazhd, në një familje të madhe me pesë motra e tre vëllezër. Në moshën 16-vjeçare, i erdhi një kërkesë për dorën, por prindërit s’pranuan. Por ndërkohë ajo njohur një djalë dhe mbeti shtatzënë, por pa e kuptuar se brenda saj po rritej një jetë.

Ardit Gjebrea: Djali e mori vesh që ishe shtatzënë?

Rukije: Jo.

Ardit Gjebrea: Po pse nuk ia tregove?

Rukije: Sepse nuk e kuptova.

Ardit Gjebrea: Kur e more vesh?

Rukije: Në momentin e fundit që më kanë ardhur dhimbjet. Kur më erdhën dhimbjet, në mesin e kurrizit, kujtova se ishin veshkat, por ishte shtatzënia.

Ardit Gjebrea: Po prindërit? Mamaja, motrat?

Rukije: Jo, asnjë. As motrat, asnjë.

Ardit Gjebrea: Kur je shtatzënë, rritet barku, duket. Si, nuk e kuptoi njeri?

Rukije: Sikur isha shëndoshur.

Ardit Gjebrea: Erdhi momenti që do të lindje, apo jo?

Rukije: Po.

Ardit Gjebrea: Kush të çoi në maternitet?

Rukije: Motrat e babit, hallat, për t’u vizituar nga veshkat, por ato nuk ishin veshkat, ishin dhimbjet e fëmijës.

Ardit Gjebrea: E linde fëmijën?

Rukije: Po.

Ardit Gjebrea: Si ia vure emrin?

Rukije: Linda.

Ardit Gjebrea: Po mbiemrin?

Rukije: Kurti.

Ardit Gjebrea: Mbiemrin tënd.

Rukije: Po.

Ardit Gjebrea: Si ishte Linda me shëndet?

Rukije: Shumë mirë.

Ardit Gjebrea: Por unë di që ti e mbajte në spital për njëfarë kohe.

Rukije: Një muaj.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Rukije: Sepse s’doja ta lija në Shtëpinë e Fëmijës.

Ardit Gjebrea: Si e more vendimin për ta lënë në Shtëpinë e Fëmijës?

Rukije: E mora vendimin se ndër pesë motrat, jam më e vogla, kam edhe tre vëllezër. Kemi pasur një dhomë. Te ajo dhoma, ç’binte jashtë, hynte brenda. Ka qenë një dimër i ftohtë. Në momentin që isha shtatzënë dhe do të lindja, kur linda, te kjo dhoma ishte gjendje ekstreme. Po vdisnim nga i ftohti. Nuk kisha për ta mbajtur te ajo dhoma. U detyrova pastaj, e lashë në spital.

Ardit Gjebrea: Pra ti nuk doje që fëmijën e sapolindur ta çoje në ato kushte ekstreme.

Rukije: Po.

Ardit Gjebrea: U interesove më vonë për të apo jo?

Rukije: Faktikisht ne ishim vajza të pa dala. Nuk dija ku të shkoja.

Ardit Gjebrea: Si u ndieve kur e le vajzën?

Rukije: Aty ka qenë gjëja më e keqe.

Ardit Gjebrea: Çfarë kujton nga ai moment?

Rukije: Në momentin kur ma morën dhe ma zbritën poshtë…

Rukija nuk arrin dot ta vazhdojë rrëfimin nga emocionet e tepërta pasi thuajse humbet ndjenjat, teksa pranë i shkojnë menjëherë asistentët dhe Ardit Gjebrea për ta ndihmuar.

×