Sezoni i katërt i “Big Brother VIP Kosova” pritet të nisë pas vetëm dy ditësh, në mbrëmjen e 17 nëntorit, dhe ndërsa lista e banorëve mbetet e fshehtë, sapo janë zbuluar emrat e opinionistëve.
Ndërsa është konfirmuar tashmë se prezantues do të jetë sërish dyshja e dashur për publikun, Alaudin Hamiti dhe Jonida Vokshi, risia më e madhe e këtij edicioni ishte në panelin e opinionistëve.
Për herë të parë, tradita e një dysheje mashkull-femër është thyer, duke i lënë vendin dy figurave femërore.
Ka qenë gazetari Olti Curri ai që ka zbuluar emrat e dy opinionisteve që do të ulen në karriget e shumëdëshiruara për të komentuar lojën dhe dinamikat e shtëpisë. Sipas postimit të tij, dy opinionistet e “BBVK 4” do të jenë: Olta Gixhari, ish-banorja e shumëkomentuar e “Big Brother VIP Albania”, dhe këngëtarja e njohur e skenës kosovare, Leonora Jakupi.
Ky lajm ka ndezur menjëherë rrjetin, pasi dy emra të tillë padiskutim pritet të ‘trazojnë ujërat’ në spektakël.
Tashmë, pritet vetëm nisja e emisionit për të parë se si do të jetë dinamika e re në studio dhe për të zbuluar listën e banorëve që do të bëhen pjesë e shtëpisë më të famshme.







