Meteorologia e njohur, Lajda Porja, ka bërë së fundmi parashikimin e motit, duke njoftuar zyrtarisht mbërritjen e stinës së ftohtë dhe reshjeve të para të dëborës për këtë periudhë.
Në një lidhje për emisionin “Wake Up”, ajo shpjegoi situatën sinoptike, duke theksuar se një masë e ftohtë polare ka përfshirë tashmë Europën Qendrore. Porja konfirmoi se ky dimër pritet të jetë më i ftohtë se viti i kaluar dhe se muaji Dhjetor parashikohet të jetë “i bardhë”.
Sa i përket reshjeve konkrete për ditët në vijim, meteorologia u shpreh: “Zonat malore, kryesisht është veriu dhe verilindja, më pak reshje do të ketë juglindja. Do të ketë dëborë të shtunën gjatë natës dhe ditën e diel. Ditën e diel ka reshje të pakta dhe pjesa më e madhe e tyre në dëborë.”
Megjithatë, për qytetarët e kryeqytetit që shpresojnë të shohin borë në qytet, Porja ishte e drejtpërdrejtë, duke sqaruar se dëbora do të jetë e pranishme vetëm në malin e Dajtit. Ajo tha: “Nuk është se presim dëborë në Ultësirën Perëndimore apo në Tiranë. Se gjithmonë është kjo pyetja ‘a do kemi borë në Tiranë?’, jo. Tirana në përgjithësi shënon temperatura të larta.”
Ky parashikim sinjalizon zyrtarisht nisjen e ditëve të ftohta, duke paralajmëruar qytetarët të përgatiten për një fundjavë me temperatura tipike dimërore.





