Elijona Binakaj është banorja më e re që i është bashkuar edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova,
duke sjellë me vete jo vetëm emocionet e një hyrjeje të re, por edhe një histori të thellë dhe tepër të dhimbshme jete. Modelja me origjinë nga Kosova, e rritur në Gjermani, ka kaluar një tragjedi që e ka shënjuar përgjithmonë, të cilën e kishte ndarë me publikun në një intervistë për RTV Dukagjini disa kohë më parë.
Në atë intervistë, Elijona zbuloi se në vitin 2021 kishte përjetuar aksidentin më të rëndë të jetës së saj – një fatkeqësi rrugore që i mori jetën nënës dhe motrës së saj, ndërsa ajo vetë dhe vëllai mbijetuan. Rrugës për në Kosovë, në territorin e Kroacisë, automjeti ku udhëtonin u përfshi në një aksident fatal që i ktheu përmbys të gjithë jetën.
“E kemi pasur një aksident në vitin 2021. Ka qenë gjëja më e keqe që më ka ndodhur në jetë. Më ka ndërruar jetën, nga një moment në tjetrin,” rrëfeu Elijona, e cila mezi i mbante lotët teksa kujtonte atë ditë të tmerrshme.
Ajo shtoi se humbja ishte dyfish e rëndë: “Ishim rrugës për Kosovë, aksidenti ka ndodhur në Kroaci. E kam humbur fatkeqësisht motrën dhe nënën.”
Si një vajzë vetëm 14-vjeçare në atë kohë, pesha e dhimbjes dhe përgjegjësive ishte e jashtëzakonshme: “Në fillim ka qenë shumë rëndë, sepse mungesën e nënës e ndjen gjithmonë. E kam ndjerë veten të detyruar të ruaj vëllanë. Ka qenë shumë e vështirë… Më ka ndryshuar jeta brenda dy minutave. Nuk kam qenë më kurrë e njëjta. Kam vdekur në atë moment që ndodhi aksidenti.”
Me hyrjen e saj në Big Brother VIP Kosova, shumë fansa besojnë se Elijona mund ta ndajë sërish këtë histori prekëse me publikun e gjerë, duke shpalosur jo vetëm dhimbjen, por edhe forcën me të cilën ka arritur të ecë përpara.





