Dy të moshuar nga Librazhdi ndodhen prej orësh në gjendje të rëndë shëndetësore në QSUT, pasi dyshohet se janë intoksikuar. Ata kanë marrë sasi të madhe medikamenti qetësues (valium), e cila u është dhënë fshehtas nga dhëndri i tyre.
Ismail Kllogjri është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Librazhdit, e cila sqaron se 36 vjeçari pasi u ka dhënë valium vjehrrit dhe vjehrrës, ka vjedhur një shumë parash në shtëpinë e tyre.
Pas marrjes së njoftimit se dy bashkëshortë ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore dhe të dyshuar për intoksikim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd organizuan menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara hetimore, të kryera në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit “Opportunity”, u bë e mundur zbardhja e plotë e ngjarjes, si dhe identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit Ismail Kllogjri, 36 vjeç.
Nga hetimet rezultoi se autori, i afërm familjar i çiftit të moshuar (dhëndri i tyre), dyshohet se u ka administruar atyre një dozë të lartë medikamenti qetësues, të dyshuar si valium, duke shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre.
Të dy bashkëshortët ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma e parave të vjedhura dhe një celular. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.





