Ndarja e papritur nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi në moshën 40-vjeçare ka shkaktuar një valë tronditjeje dhe dhimbjeje në të gjithë komunitetin artistik shqiptar.
Rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi nga miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë të vjetër, të cilët kanë shprehur mosbesimin për këtë humbje të parakohshme.
Moderatorja Luana Vjollca publikoi një foto të përbashkët duke shkruar: “Nuk mund ta besoj. Cfare lajmi i trishte! Faleminderit per artin & shpirtin tend te bukur e pozitiv perhere. U prehsh ne paqe Artist.”
Kantautori Ardit Gjebrea u shpreh shkurt por me dhimbje: “Jam i tronditur nga humbja e jetës së Shpat Kasapit! Ngushëllime familjes!”
Reperi Big Basta shkroi: “Të gjithë kolegët e dimë çfarë djali i mrekullueshëm ke qenë! Nuk i bënte nona 2 si ti! I sjellshëm dhe zemër të madhe, kurrë nuk dëgjuam diçka të keqe nga ti për askënd! U prefsh në paqe miku im.”
Këngëtarja Fifi reagoi me fjalë zemre: “Ah more nanush, ma kpute shpirtin! Djale fisnik. Te qofte dheu i lehte e t’pushoft shpirti ne paqe.”
Ndërsa Vesa Luma kujtoi hitet e tij: “Si ta degjojme tani kengen me te lumtur shqiptare Shpat… ke lene nje zbrazeti shume te madhe ne zemrat tona, por ke bere te lumtur miliona shqiptarë me kenget e tua, ato te pakten do te jene te pavdekshme.”
Reagime të tjera prekëse erdhën nga Arian Agushi: “Euuu Shpat breee 😥 Allahu të meshiroftë vlla”, Jul Deda, Ledion Liço, Dafina Zeqiri, Ardit Çuni, Eni Koçi dhe Liam Mandiaro, të cilët ndanë dhimbjen e tyre për humbjen e një artisti dhe miku të dashur.













