Akil Gjeci, një 28 vjeçar nga Tropoja, ka ndërruar jetë këtë të enjte si pasojë e një aksidenti në autostradën Tiranë-Durrës.
Ai ka humbur kontrollin e mjetit me të cilin udhëtonte dhe është përplasur me bordurat anësore të rrugës.
Aksidenti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në 00:30, dhe Akil Gjeci është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës.
Fatkeqësisht, i riu ka ndërruar jetë në duart e mjekëve.
“Më datë 27.11.2025, rreth orës 00:30, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi A. Gj., 28 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin, dhe më pas automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës.
Si pasojë, 28-vjeçari ka humbur jetën në spital. Punohet për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Tiranës.
Akil Gjeci ishte djalë i vetëm i familjes Gjeci dhe sipas raportimeve, ishte një person i qetë dhe shumë i respektueshëm në komunitetin ku jetonte. Rrethanat e aksidentit mbeten të paqarta dhe grupi hetimor po punon për sqarimin e shkakut.






