Hilsn

Ngjarje tragjike! Zjarri shkrumbon një fabrikë, humbin jetën 3 gra. Dy të tjera të zhdukura…

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Trikalas mëngjesin e kësaj të hëne, pasi një zjarr i madh shpërtheu në fabrikën e njohur të biskotave VIOLANTA, ku humbën jetën tre gra, ndërkohë që dy të tjera vijojnë të jenë të zhdukura.

Sipas asaj që mediat vendase raportojnë mësohet se zjarri ka rënë pak para orës 04:00 të mëngjesit, pas një shpërthimi të fuqishëm, i cili përfshiu një krah të tërë të fabrikës. Në momentin e shpërthimit, në zonën e cila u përfshi nga zjarri i madh ndodheshin pesë punëtore.

Fatkeqësisht tre prej tyre janë gjetur pa shenja jete, ndërsa dy të tjerat rezultojnë ende të zhdukura, ndërkohë që kërkimet vijojnë.

Si pasojë e incidentit, pesë punëtorë të tjerë dhe një zjarrfikës janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve zyrtare, të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Një pjesë e objektit është shembur për shkak të shpërthimit dhe zjarrit, ndërsa sipas dëshmive të një punonjësi, në zonën ku shpërtheu zjarri nuk kishte rezervuarë me gaz LPG.

Për arsye sigurie, policia ka mbyllur rrugën Karditsi, ndërsa qarkullimi i automjeteve po devijohet përmes fshatit Agia Kyriaki, për të lehtësuar ndërhyrjen e forcave të emergjencës dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Në vendngjarje po operojnë rreth 40 zjarrfikës me 15 automjete zjarrfikëse. Të pranishme janë edhe forcat e EMAK-ut, ndërsa një njësi shtesë nga Lamia është dërguar për përforcim. Po ashtu, është urdhëruar të ndërhyjë edhe Drejtoria për Luftimin e Krimeve të Zjarrvënies së Qëllimshme, e cila pritet të hetojë shkaqet e zjarrit.

×