Hilsn

Aksidenti tragjik i mori jetën, urdhri i Infermierit në Zl! Shërbeu për vite me dinjitet dhe humanizëm!

Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka reaguar me dhimbje dhe trishtim të thellë pas humbjes tragjike të jetës së koleges së tyre, infermieres Dëshira Hoxha, e cila u nda nga jeta si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur dje në një zonë malore të Gramshit (26 janar).

“Dëshira Hoxha ishte një profesioniste e përkushtuar, bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, e cila për pesë vite me radhë shërbeu me dinjitet, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë profesionale ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh. Përkushtimi i saj ndaj pacientëve dhe misionit fisnik të infermierisë e bëri atë një figurë të respektuar dhe të dashur, si nga kolegët, ashtu edhe nga banorët e zonës ku shërbente”, shprehet Urdhri për të ndjerën.

Në mesazhin e tij zyrtar, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj, të afërmit dhe kolegët, duke theksuar se “kujtimi dhe vepra e Dëshira Hoxhës do të mbeten të gjalla dhe të paharruara në komunitetin infermieror dhe përtej tij”.

Një humbje e parakohshme që lë pas dhimbje, por edhe një shembull të rrallë përkushtimi dhe humanizmi.

Në aksidentin e djeshëm, pas daljes së kamionçinës nga rruga Gramsh-Poroçan, pranë fshatit Bardhaj, mjeti ra në humnerë me thellësi 70 metra duke u rrokullisur disa herë.

Për pasojë humbi jetën 43-vjeçarja Hoxha dhe u plagosën rëndë mësuesja Albana Boja dhe shoferi Shaban Kotorri, që po trajtohen në spital. Policia Rrugore po vijon hetimet për shkaqet e humbjes së kontrollit të mjetit dhe aksidentit.

×