Blendi Sylaj, 20 vjeç është njëri nga shqiptarët që humbi jetën pas aksidentit të rëndë të ndodhur në Itali një ditë më parë. Nga aksidenti mbeti viktimë edhe një tjetër shqiptar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur nga autoritetet italiane.
Sipas mediave italiane, një automjet tip Jeep Avenger u përplas ballë për ballë me një kamion Iveco.
Dy të rinjtë shqiptarë, të cilët udhëtonin në automjetin tip SUV, kanë humbur jetën në vendngjarje. Një i tretë, që ndodhej gjithashtu në Jeep, u transportua me ambulancë drejt spitalit të Saviglianos, në gjendje të stabilizuar.
Nga përplasja është përmbysur edhe mjeti i rëndë, i cili ka përfunduar në një kanal anësor të rrugës.
Dy personat që ndodheshin në kamion, një çift bashkëshortësh nga Costigliole Saluzzo, kanë mbetur të plagosur. Drejtuesi i mjetit u dërgua në spitalin e Saviglianos, ndërsa bashkëshortja e tij u transportua me helikopter drejt spitalit të Cuneos.
Autoritetet italiane po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.






