Mbrëmja e djeshme në “Big Brother VIP Albania” ka dhuruar një nga momentet më drithëruese të këtij edicioni.
Miri, pasi mori guximin të hapte Kutinë e Pandorës, u shpërblye jo me një dënim, por me surprizën më të madhe: takimin me vajzën e tij.
Mes lotësh dhe përqafimesh të mallëngjyera, biseda e tyre zbuloi shumë për atë që po ndodh jashtë, veçanërisht lidhur me afrimitetin e tij të komentuar me Selinën.
I shqetësuar për perceptimin e lojës së tij jashtë, pyetja e parë e Mirit ishte për bashkëshorten: “A jemi në rregull me mamin?”.
Vajza e qetësoi duke i thënë se “mami është mirë dhe nuk është mërzitur”, duke shuar kështu frikën e aktorit për ndonjë krisje në martesë për shkak të situatave në shtëpi.
Madje, surpriza vazhdoi kur Miri e pyeti se cilët banorë pëlqen. Pavarësisht aludimeve në rrjet për një romancë të mundshme, vajza e Mirit nuk hezitoi të përmendte emrin e Selinës si një nga të preferuarat e saj, duke treguar mbështetje për miqësinë e tyre.
Por, krahas mbështetjes, vajza i dha babait edhe një këshillë strategjike që u duk si një paralajmërim i fortë.
“Babi, për ne ti je fituesi, por mos e ndaj fitoren me askënd tjetër,” i tha ajo prerazi.
Ky mesazh u interpretua nga publiku si një thirrje për të luajtur individualisht dhe për të mos lejuar që aleancat (apo afrimiteti me Selinën) t’i zbehin shkëlqimin e tij personal në lojë.





