Sinoptikania Lajda Porja ka paralajmëruar një ndryshim të fortë të motit gjatë fundjavës dhe ditëve në vijim, për shkak të depërtimit të një mase të ftohtë polare që aktualisht ka përfshirë Europën Qendrore.
Sipas saj, mbrëmja e së shtunës do të shënojë hyrjen e kësaj mase të ftohtë në territorin shqiptar, duke sjellë reshje dëbore në zonat malore, veçanërisht në veri-lindje, ndërsa në qarkun e Korçës reshjet pritet të jenë më të pakta. Temperaturat do të zbresin ndjeshëm, ndërkohë që reshjet do të vijojnë deri të hënën — me shi në ultësirën perëndimore dhe dëborë në lartësitë malore.
“Masa e ftohtë polare do të sjellë dëborë në zonat malore, sidomos në veri-lindje, ndërsa Korça do të ketë reshje më të pakta. Temperaturat do të bien dhe reshjet do të mbeten prezente deri të dielën dhe të hënën,” tha Porja në një intervistë televizive.
Ajo shtoi se episodi i ftohtë do të zgjasë deri të martën, me temperatura që në zonat malore mund të zbresin deri në disa gradë nën zero. Të mërkurën pritet një rritje e lehtë e temperaturave dhe rikthim i reshjeve, ndërsa më 27 nëntor mund të shfaqet një fenomen i shkurtër, por me reshje të dendura, kryesisht në veri dhe pjesërisht në qendër.
“Ka sinjale që data 27 të sjellë një tjetër episod reshjesh të dendura, fatmirësisht me kohëzgjatje të shkurtër,” u shpreh Porja.





