Amarildo Pajtoni, apo Ildi siç e njihnin të gjithë, ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident rrugor.
I riu, djali i sipërmarrësit Mentor Pajtoni dhe nipi i biznesmenit tjetër të suksesshëm Armando Pajtoni, raportohet se ka bërë aksident me motor.
Newsbomb.al mëson se 27 vjeçari, i angazhuar në biznes si administrator i kompanive të familjes, por dhe drejtues i bizneseve të vogla që kishte inicuar vet,
ka mbyllur sytë përgjithmonë dje, më 15 Korrik.
Shokët e Ildi Pajtonit kanë reaguar zemërthyer në rrjetet sociale për ikjen e padrejtë dhe të parakohshme të të riut.
Burime ekskluzive për redaksinë, bëjnë me dije se aksidenti ka ndodhur rreth dy javë më parë dhe 27 vjeçari është dërguar me urgjencë në spital.
Fatkeqësisht, pavarësisht kujdesit maksimal të mjekëve në Spitalin e Traumës, zemra e Ildit ka ndalur.
Lajmi konfirmohet dhe nga i vëllai, Redi Pajtoni, i cili ka bërë një dedikim për ikjen e Ildit. “Ah zemra e vëllait pse më le vetëm”, shkruan ai.
Familja Pajtoni është ndër më të njohurat në Tiranë dhe Shqipëri, për shkak të angazhimit të hershëm në biznesit e mermerit dhe aktivitetin tregtar të Qendrës Tregtare “Pajtoni”, që ndodhet në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës.