Një aksident rrugor ka ndodhur këtë pasdite në qytetin e Elbasanit,

në segmentin që lidh Universitetin “Aleksandër Xhuvani” me rrethrrotullimin e përroit të Zaranikës, në lagjen Haxhias.
Në ngjarje janë përfshirë tri automjete, ndërsa disa persona kanë mbetur të lënduar. Ende nuk është konfirmuar numri i saktë i të lënduarve apo gjendja e tyre shëndetësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe forcat e policisë, të cilat po ofrojnë ndihmën e parë dhe po punojnë për të menaxhuar trafikun dhe për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Shkaqet që çuan në përplasjen mes mjeteve nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit.