Miq dhe të afërt të Luan Llanajt dhe Tomor Mbratit, kanë realizuar një murale në përkujtim të dy të rinjve, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik me motor më 1 qershor në Vlorë.

Për realizimin e saj kanë marrë pjesë edhe shokë të klasës, nxënës të shkollës Industriale Pavarësia ku dy të rinjtë mësonin çdo ditë.
Një murale në përkujtim të të ndjerëve Luan Llanaj, 19-vjeç, si dhe Tomor Mbrati, 17-vjeç. Shok dhe miq të viktimave, po punojnë tashmë prej disa ditësh, në përfundimin e kësaj vepre, në përkujtim të miqve të tyre. Ajo është realizuar me bojëra, në vendin ku dy të rinjtë humbën jetën.
Luan Llanaj, dhe Tomor Mbrati, humbën jetën tragjikisht pasi po ktheheshin në shtëpi me motor, kur goditën një prej shtyllave të ndriçimit rrugor.
Dy të rinjtë, më pas u përplasën në tokë, ku 19-vjecari Llanaj, gjeti vdekjen në vend në mënyrë tragjike.
Ndërsa të miturit Mbrati, iu dha ndihma e parë, u transportua në spitalin e Vlorës me shenja jete dhe më pas u nis drejt Traumës në Tiranë, por pa mundur dot të shpëtojë.
Në vendin e ngjarjes edhe sot ka shenja të aksidentit tragjik, teksa nuk mungojnë as tufat me lule dhe qirinjtë në përkujtim të dy viktimave.
Të dy ishin nxënës të shkollës Industriale Pavarësia, një prej shkollave profesionale në qytet.
Ndërkohë që për të mbajtur familjen punonin në një servis, nga ku me rrogën e parë të punës, ishte blerë edhe motori që i mori jetën.
Një prej djemve ishte shtylla kryesore e familjes, që megjithëse në moshë të vogël punonte për të mbajtur me të ardhura familjen e tij. Të rinj shumë afër punës, të aftë profesionalisht, të urtë dhe djem pa probleme.