Policia e Fierit ka arrestuar edhe Valbona Ramën, nënën e Emanilda Ramës, e cila u arrestua një ditë më parë për vrasjen e babait, Anesti Rama. Ndërsa detaje të tjera tronditëse dalin nga krimi i rëndë i ndodhur në Fier.
Sipas burimeve policore, SYRI TV, raporton se viktima, Anesti Rama, dhunohej sistematikisht në familje. E bija dhe bashkëshortja e kishin nxjerrë të jetonte në një dhomë jashtë shtëpisë, pohojnë burime zyrtare të Policisë së Fierit.
Teksa pritet të zhvillohet masa e sigurisë për nënë e bijë që akuzohen për vrasjen e kryefamiljarit Anesti Rama, të dhëna dhe burime nga të afërmit e familjes bëjnë me dije se 56-vjeçari dhunohej dhe keqtrajtohej në familje. Prej vitesh punëtor në një fermë blegtorale në zonë, Anesti Rama kishte shkuar shpeshherë në punë me shenja në fytyrë, për të cilat thoshte se i ishin shkaktuar nga incidente, por asnjëherë nuk tregoi të vërtetën.
Vajza dhe e ëma e kanë pranuar krimin para grupit hetimor, pohon zyrtarisht Policia e Fierit, por ajo shton më tej se vajza, pasi e mbyti të atin me tel në fyt, e ka çuar trupin në banjë dhe aty i kishte dëmtuar organin gjenital. Vajza nuk ka pranuar që babai mund ta kishte ngacmuar seksualisht, kur është pyetur nga grupi hetimor.
Burime nga Policia e Fierit konfirmojnë faktin se viktima keqtrajtohej nga bashkëshortja dhe e bija, ndërsa fakt i njohur për fqinjët e familjes Rama në Frashër ishte se ai jetonte veçmas nga bashkëshortja dhe e bija, megjithëse në të njëjtin oborr. Për shkak të sherreve të shpeshta, policia ka qenë me dhjetëra herë në familje për të shuar konfliktet.
Prej vitesh, 56-vjeçari i vrarë tragjikisht dy ditë më parë jetonte në dhomën që shërbente si kuzhinë, e veçuar nga banesa ku jetonin Valbona dhe Emanilda Rama. Këto të fundit akuzohen se kanë vrarë 56-vjeçarin duke e mbytur me tel dhe më pas kanë inskenuar ngjarjen si aksidentale.