Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali, ku si pasojë kanë humbur jetën dy shqiptarë të Kosovës, përkatësisht 19 dhe 29-vjeç.

Sipas mediave kosovare, njëri prej viktimave dyshohet se është Driton Sadikaj, me origjinë nga Deçani. Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar edhe nga familjarët, të cilët përmes një postimi në rrjetet sociale kanë shprehur dhimbjen e tyre.
“As zemra e as shpirti nuk e pranojnë dot vdekjen tënde. Ah, ç’na e kepute shpirtin bre Driton… Qofsh banor i Parajsës, o engjëll i bukur”, shkruhet në postimin e familjarëve.
Nërkohë, viktima tjetër është nga Malisheva, ndërsa identiteti i tij nuk është zbuluar ende.
Aksidenti ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 06:45 minuta, në autostradën A22 midis Bressanone dhe Chiusa. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, një kamion i vogël u përplas me një kamion të ndalur, duke lënë të vdekur dy të rinjtë kosovarë.
Këta të fundit ishin të punësuar nga një kompani ndërtimi në Tirolin Jugor. Gjithashtu, një person tjetër u plagos rëndë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit vullnetarë të zonës, Kryqi i Bardhë me mjekun urgjent dhe policia rrugore. Fatkeqësisht nuk mund të bëhej asgjë për viktimat të cilët nuk arritën tu mbijetonin plagëve.