Shkak i vdekjes së dy fëmijëve të Alma Arrazit ka qenë mbytja.
Ky është përfundimi i Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa ende pritet përgjigjja për Arrazin dhe njërin prej fëmijëve të saj.
Gazetarja e “Jetë Shqiptare”, Aida Topalli, bëri me dije po ashtu se, sipas analizave toksikologjike,
rezulton se nëna dhe 3 fëmijët nuk kanë konsumuar asnjë lloj lënde që të ketë ndikuar në marrjen e aktit tragjik të mbytjes.
“Instituti i Mjekësisë ligjore i ka dërguar Prokurorisë së Shkodrës përgjigjen e analizave toksikologjike të 4 viktimave nga
ku ka rezultuar se ata nuk kanë konsumuar asnjë lloj lënde që të ketë ndikuar në aktin final. Po ashtu nga Instituti i Mjekësisë ka ardhur përgjigjja për dy fëmijët
e Alma Arrazit se shkak i vdekjes është mbytja dhe nuk është konstatuar asnjë lloj dhune.
Pritet përgjigjja e analizave për shkakun e vdekjes së Alma Arrazit dhe njërit prej fëmijëve të saj”, u shpreh gazetarja Topalli.
Për tragjedinë e 2 majit në Shkodër është vënë në pranga bashkëshorti i viktimës dhe babai i fëmijëve, Erdgys Arrazi.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Arrazi ka ushtruar dhunë në familje, gjë që ka shtyrë 39-vjeçaren drejt aktit të vetëflijimit.
Ndërkohë që sherri në familje kishte nisur prej kohësh, pasi Alma Arrazi zbuloi tradhtinë e tij me një vajzë shumë më të re në moshë.
Edhe më herët 32-vjeçari ka mohuar të gjitha akuzat duke treguar se e shoqja vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Familjarët pretendojnë se Arrazi kishte një lidhje tjetër jashtëmartesore, detaj që është marrë si pistë hetimi nga autoritetet.