Një deklaratë e papritur nga ish-banorja Olta Sheta në studion e “Fan Club” ka trazuar ujërat lidhur me të shkuarën e banores së “Big Brother VIP 5”, Brikena.
Olta pretendoi me bindje se Brikena, para se të bëhej e njohur si Miss, ka qenë e lidhur me ish-konkurrentin e famshëm të “Për’puthen”, Atdheun.
Por, vetë Atdheu ka telefonuar në emision për të përgënjeshtruar gjithçka “live”. Ai mohoi kategorikisht çdo aludim për romancë, duke i dalë në mbrojtje banores.
“Është vajzë e çiltër, është vajzë e pastër. Nuk është intrigante. Madje po bëj tifo për të. Nuk dua të kryqëzohet në rrjet, prandaj vendosa të reagoj,” u shpreh Atdheu i revoltuar nga thashethemet.
Ai sqaroi versionin e tij të historisë, duke e thjeshtuar gjithçka në një takim miqësor: “Nuk ka patur gjë. Thjesht jemi njohur, kemi dalë, jemi takuar një herë në kafe përmes një shokut tim, edhe kaq.”
Gjithashtu, Atdheu konfirmoi se ruan marrëdhënie të mira shoqërore edhe me Mateon, banorin tjetër, njohje e krijuar që në kohën e “Për’puthen”.





