Një ngjarje tragjike ndodhi pak ditë më parë në Hamburg të Gjermanisë, ku shkëputja e një skele i mori jetën 4 shqiptarëve që po punonin në ndërtim.
Mes personave skela i zuri poshtë ishte edhe një tjetër shqiptar, Alfred Visha, i cili fatmirësisht ka shpëtuar por ndodhet në gjendje të rëndë në spital
Në një lidhje telefonike për “Shqipëria Live”, daja i tij tregoi se Visha është në gjendje kome, por ka përmirësim të parametrave jetësorë.
Mes lotësh ai tha se nipi i tij është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët jetojnë në Klos. Visha punonte në Gjermani për 3 muaj dhe do të kthehej në dhjetor pasi kishte prerë edhe biletën.
“Është në gjendje të rëndë, mjekët nuk konfirmojnë… sidomos goditjen që ka marrë në kokë. Ka një përmirësim të parametrave jetësorë, por ndodhet në gjendje të rëndë. Është në gjendje kome nuk është përmendur akoma.
Ka probleme shumë të mëdha. Pranë po i qëndron i vëllai dhe një afërme që është infermiere në atë spital. Përveç mjekut të kokës, mjekët e tjerë japin shpresë, pavarësisht se ka shumë fraktura. Është djalë shumë i fortë. Ai ka bashkëshorten, ka tre fëmijë, 10, 7 dhe 3 vjeç.
Ai punonte me 3-mujorsh, i kishin premtuar se do i bënin letrat. Kam folur një natë më parë me të, e kishte prerë biletën që të vinte me datën 2 dhjetor”-deklaroi daja i Alfredit.