Lidhjen e saj me botën e artit dhe ekranit Bieta Sulo e ka pasur shumë e vogël.
Ishte vetëm pesë vjeç kur luajti rolin e saj të parë në filmin “Djali elastik” (1989),
në të cilin interpretonte rolin e motrës së djalit të vogël që kishte një ëndërr të madhe: të bënte shfaqjen e tij në cirk.
Bieta, vajza topolake me bishtaleca, mund të kishte luajtur edhe të tjera role në të ardhmen, madje mund të ishte sot një aktore,
nëse do ta kishin lënë prindërit. Moderatorja e ka thënë edhe më herët se pas rolit në filmin “Djali elastik”, ajo mori edhe oferta të tjera për të qenë në kinema, por pengesa ishin prindërit.
Edhe sot, në programin e fundit të sezonit të gjashtë, ndërsa Bieta, për një moment u kthye në “e ftuar”
dhe të ftuarit në intervistues, ajo u përball me të njëjtën pyetje: Do të të kishte pëlqyer të kishe ndjekur karrierën tënde në kinematografi?
Në fakt, ishte vetëm një rol në filmin “Djali elastik” dhe s’mund të konsiderohet karrierë,
por Bieta përsërit shkakun pse nuk vijoi: “S’më kanë lënë mami me babin. Isha shumë e vogël, pasi luajta “Djalin elastik” dhe erdhën disa propozime të tjera, role të vegjël, kuptohet. Mami me babin nuk donin, se “goca do fillojë shkollën, pse të lodhet…”
Në fakt, vetë Bieta thotë “pse jo?” për dëshirën për ta vazhduar atë rrugë, “edhe pse jam natyrë e vështirë për ta luajtur rolin. Nuk e di sa aktore e mirë do të kisha qenë, të jem e sinqertë, sepse jam natyrë që nuk impostohem dot”,- tha ajo.