Moti i keq ka gjunjëzuar Greqinë me stuhinë “Byron”, ku shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur vendin fqinj, duke shkaktuar dëme katastrofike gjithandej.
Skena dramatike po zhvillohen në zonat e Lakonisë dhe Bashkisë së Manit Lindor, ku ekipet e EMAK-ut po shpëtojnë vazhdimisht qytetarët nga shtëpitë dhe automjetet e përmbytura, duke i shpëtuar njerëzit nga rreziku i mbytjes.
Në Skala Lakonia, burrat e EMAK-ut shpëtuan tre persona në minutën e fundit nga një automjet që ishte bllokuar dhe i zhytur nga ujërat. Pasagjerët u nxorën nga makina, e cila ishte fundosur në një zonë të përmbytur, me imazhe të operacionit të kapura në video.
Pamjet e shpërndara u bënë shumë shpejt virale, teksa dallohet një rrymë e fortë thithëse e ujit në formë spirale që tërheq gjithçka dhe makina e mbetur në mes të rrjedhës.
Materiali përkatës i publikuar nga Forecast Weather Greece regjistron përpjekjet e ekipeve të shpëtimit në kushte veçanërisht të vështira, me rrjedhje të fortë uji dhe dukshmëri të kufizuar, ndërsa ata i afrohen automjetit dhe largojnë në mënyrë të sigurt personat e bllokuar.
Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e të gjitha shkollave për ditën e nesërme dhe deri në përmirësimin e plotë të motit, ku do ketë njoftim të dytë zyrtar.





