Soprano Redrina Kokona është ndarë nga jeta, njofton Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit.

Me një karrierë që shtrihet në pothuajse tri dekada, Redrina ishte një artiste që të frymëzonte me përkushtimin dhe shpirtin e saj operistik.
E diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Arteve në Tiranë, në vitin 1998, ajo e nisi rrugëtimin e saj artistik me një pasion të palëkundur për muzikën klasike dhe një zë që spikati që në hapat e parë.
Në vitin 2000, ajo iu bashkua Trupës së Korit të TKOB-së dhe që atëherë nuk iu nda më skenës.
Ishte gjithmonë aty, në çdo koncert, në çdo premierë, në çdo përgatitje e provë, jo vetëm si pjesë e korit, por edhe si një zë që shpesh dallohej në role solistike, me një interpretim plot finesë e ndjeshmëri.
Publiku do ta mbajë mend si Fiordiligi në operën Così fan tutte, Frasquita në Carmen, Kate Pinkerton në Madama Butterfly, Musetta në La Bohème, Anina në La Traviata dhe Una novizia në Suor Angelica.