Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në New Hampshire, SHBA, ku një grua 34-vjeçare dyshohet se ka vrarë bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre, përpara se të vetëvritej.
Emily Long, 34 vjeçe, u gjet pa jetë me një plagë të shkaktuar nga armë zjarri në kokë. Hetimet paraprake të autoriteteve sugjerojnë se ajo fillimisht ka qëlluar për vdekje bashkëshortin e saj, Ryan Long, 48 vjeç, i cili ishte në përballje me një sëmundje të rëndë – kancerin. Më pas, ajo vrau edhe dy fëmijët e tyre të mitur: Parker, 8 vjeç dhe Ryan, 6 vjeç, të cilët dyshohet se janë qëlluar në kokë.
Në vendngjarje është gjetur i gjallë vetëm një nga fëmijët e çiftit – një fëmijë trevjeçar, i cili fatmirësisht ka mbijetuar dhe aktualisht ndodhet në kujdesin e familjarëve.
Motivi i ngjarjes ende nuk është bërë i qartë. Megjithatë, në rrjetet sociale, Emily kishte ndarë shpesh ndjenja të forta emocionale dhe vështirësi të mëdha psikologjike, veçanërisht në lidhje me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të bashkëshortit të saj. Në një video të publikuar në TikTok, vetëm dy ditë para tragjedisë, ajo shprehej:
“Po përpiqem të sjell normalitet në shtëpi. Jam ndier thellësisht e dëshpëruar, thjesht u izolova dhe doja të isha pranë fëmijëve dhe burrit tim. Por kam vendosur të ndryshoj dhe ta luftoj depresionin tim për hir të familjes.”