Çfarë e shkakton fryrjen e barkut dhe çfarë problemi zbulojmë prej kësaj simptome? Disa mënyra trajtimi për gazrat dhe pse ato vijnë erë të keqe?
Studimet tregojnë se 10-30 % e popullsisë vuan nga fryrja e stomakut apo barkut. E keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë ju bën të fryrë? Përvoja me fryrjen mund të jetë e ndryshme për të gjithë.
Mund të keni një ndjenjë ngopjeje, pasi keni ngrënë ose barku juaj mund të jetë i ngurtë e i tensionuar. Simptomat dhe shqetësimet mund të jenë të ndryshme për çdo individ, kjo në varësi të edhe vetë problematikës shëndetësore që çdo kush mund të ketë.
Nga se shkaktohet fryrja e barkut? Kur mund të quhet normale dhe kur është shenjë e diçkaje tjetër? Çfarë “fshihet” pas fryejes së barkut?
A mund të jetë fryrja e barkut shenjë paralajmëruese e një problematike shëndetësore për sëmundjet e brendshme apo janë thjesht gazra me shumicë dhe si të shpëtojmë prej tyre?
Në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin “Rreze Dielli” specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja tregon shkaktarët e formimit të gazrave, të cilat na çojnë në fryrjen e barkut:
· Skuqjet e mureve të brendshme në sistemin e tretjes
Ajri i futur nga goja në stomak gjatë gëlltitjes
· Lemza, aerofagia bën që nervi frenitus të çrregullojë funksionin e tretjes
· Stresi bën që të rritet kortizoli dhe ky rrit bakteriet e keqia në zorrë
· Medikamentet që merren prishin florën e mirë në zorrë
· Kequshqyerja me ushqime të thata dhe ushqimi pa orare të rregullta
Merja tregon ushqimet që shtojnë gazrat në zorrë, duke theksuar vëmendje dhe kujdes më të madh për personat që e kanë predispozitën e meteorizimit në zorrë. “Sheqernat, lëngjet e ëmbla, akulloret, pijet e gazuara duhet të eleminohen. Monosaharidet te molla, dardha, fiku, pjeshka, kumbulla, thana, nxisin gazrat. Gjithashtu disaharidet te qumështi ndihmojnë në shtimin e gazit, në veçanti qumështi i dhisë. Ndërsa oligosaharidet te qepa, hudhra, bishtajoret, arrat, nxisin shtimin e gazrave. Ushqimet që përmbajnë fibra të patretshme, ushqimet që kanë në përmbajtje niseshte si dhe sorbitoli një ëmbëlsues artificial, ndikojnë shumë në shtimin e gazrave” thekson Merja.
Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja thotë se nëse fryrja e barkut do të vazhdojë gjatë, atëherë duhet të shikojmë me kujdes organizmin tonë, aq më shumë nëse fillojmë që përveç fryrjes së barkut të kemi dhe dhimbje abdominale ose rreth ijeve, apo të kemi gromësira të shtuara.
Sëmundjet paralajmëruese nga fryrjet e barkut janë: gastriti në stomak; skuqje e mureve të brendshme të zorrëve, ulje e rezistencës së organizmit; prishje e florës bakteriale në zorrë; ankth ose stres; kolit ulçeroz; parazitë në organizëm; sëmundja Crohn, kanceri i zorrës së trashë.
Ushqimet dhe bimët që frenojnë gazrat dhe fryrjet e barkut janë:
· Gjellët me perime, zarzavate, karrota
· Erëzat si mendra, borziloku, finoku, rigoni, xhinxhër, karafili, pakësojnë gazrat
· Lëngjet si dhalla, kosi dhe lëngjet e frutave pa sheqer të shtuar
· Bimët medicinale si: bari i majasëllit dhe kolitit, bari i bletës, kamomili
· Përdorimi i mjaltit, bukës së thekur, fara e lirit, fara e zezë, fara chia
· Frutat e pjekura si molla apo ftoi janë shumë të mira, sidomos për personat që marrin shumë medikamente
· Në rast të gromësirave mund të pijmë një gotë ujë me 1 lugë sodë buke
· Këmbët në ujë të ngrohtë, pasi mbaresat nervore të organeve janë në këmbë
Për personat që vuajnë nga gazrat e shpeshta Ylli Merja rekomandoi një çaj që largon gazrat nga zorrët: Në 0.5 litër ujë zieni 2 minuta 1 lugë gjelle bar blete, 1 lugë gjelle borzilok, 1 lugë bar majasilli. Çaji pihet gjatë ditës i ëmbëlsuar me pak mjaltë. Gjithashtu dhe një smuth me 100-150 gr karrota, 1 lugë supe fara liri, 1 lugë supe tahin, 1 lugë supe mjaltë, 1 lugë kafeje jamball dhe 3 pika esencë borziloku, është tepër efikas./Shqiptarja.com