Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka ndarë mesazhin që i ka ardhur nga Flamur Isufi, vëllai i oficerit Ardian Isufi që u përfshi në konflikt me një kamerier në Vlorë.
Isufi pretendon se vëllai i tij nuk ka qëlluar, por ka ndërhyrë për të shuar konfliktin pasi i riu ka fyer klientin.
“Edhe një herë për keqtrajtimin e kamerierit në Vlorë! Kam dënuar dhe dënoj me forcën më të madhe goditjen e 17-vjeçarit për një shishe uji në lokal!
Por vëllai i oficerit të policisë që u akuzua për goditjen e kamerierit mohon në mënyrë kategorike se oficeri ka goditur vetë kamerierin, ndërkohë që një grup prej disa vetësh kanë goditur dhe plagosur rëndë oficerin, i cili ndodhet në reanimacion.
Avokati i oficerit insiston se ky i fundit nuk e ka goditur 17-vjeçarin! Për transparencë, po publikoj këtu mesazhet që ka dërguar në telefonin tim Flamur Isufi, vëllai i oficerit! Uroj që jashtë çdo subjektivizmi, kjo ngjarje të zbardhet plotësisht”-shkruan Berisha.
Në mesazhin e publikuar nga Berisha, vëllai i Ardian Isufit shprehet se ish-efektivi nuk e ka dhunuar kamerierin, por ka ndërhyrë për të ndaluar konfliktin.
”Unë që po të shkruaj quhem Flamur Isufi. Unë jam vëllai i oficerit të policisë Ardian Isufi. Ngjarja nuk është si jua kanë thënë. Vëllai im nuk e ka goditur kamerierin, përkundrazi, për të shmangur konfliktin në tavolinë, për shkak të sjelljes provokuese të kamerierit, që qe e paramenduar nga pronari i lokalit për shkak të detyrës që ka mbajtur në policinë e Vlorës, është ngritur nga tavolina dhe e ka këshilluar të jetë i sjellshëm me klientët. Kamerieri ka vazhduar debatin me personin tjetër, duke e ofenduar. Personi i ndodhur përballë fyerjeve godet me pëllëmbë kamerierin. I ndodhur përballë këtij fakti, vëllai im është futur në mes dhe i ka ndarë, duke hequr personin që kishte në tavolinë. Në asnjë moment vëllai im, siç e shikoni dhe në video, nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm që të cenonte kamerierin”-thuhet ndër të tjera në mesazhin e shkruar nga vëllai i oficerit, i cili po ashtu shton se ky i fundit është në reanimacion me shpatull të thyer, me fraktura në trup, në kokë dhe fytyrë.
Pas publikimit të pamjeve nga ngjarja, pati reagime të forta për dhunimin e 18-vjeçarit që po kryente vetëm punën e vet. Ndërkohë, Ardian Isufi raportohet se u dhunua nga pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja. Në momentin e ngjajres, Isufi shoqërohej nga Laert Bimo, person me precedentë penalë.