Bimët që mbajnë larg mushkonjat nga shtëpia juaj. Si duhet të veprojmë pas pickimit të mushkonjave dhe çfarë rreziqesh fshihen pas tyre?
Mushkonjat janë një nga gjërat më të bezdisshme, më të lodhshme dhe më stresuese gjatë verës, pasi na pickojnë dhe nuk na lënë të flemë rehat mbi të gjitha.
Nuk duhet të harrojmë se mushkonjat mund të bartin viruse edhe sëmundje të rrezikshme si malaria, virusi Zika apo ethet tropikale. Por, a ka një mënyrë për t’i shmangur mushkonjat dhe për të shpëtuar nga pickimet e padëshirueshme?
Sigurisht që po, në rubrikën “Bima dhe Shëndeti” në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report Tv specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja tregoi disa mënyra natyrale sesi të shpëtojmë njëherë e mirë nga mushkonjat.
“Së pari mund të themi se mushkonjave i pëlqen shumë drita dhe tërhiqen pas saj, gjithashtu dhe pas ujit. Insekti i mushkonjës përhapet nga vezët që lëshojnë femrat në vendet me lagështi.
Që femra të prodhojë vezët duhet të ushqehet me gjak. Sasia e gjakut duhet të shkojë deri 1.7 herë më lart se pesha e saj trupore.
Pickimi i mushkonjave tërheq më shumë njerëzit me grup gjaku 0 dhe B. Gazi karbonik gjithashtu tërheq mushkonjën si dhe pickon më shumë në muzg dhe natën, pasi kjo është koha kur mushkonjat lëvizin për shkak të ndryshimit të lagështirës në ajër” thekson Merja,
duke treguar se kruarja e lëkurës që ndodh menjëherë pas pickimit të mushkonjës shkaktohet jo nga infeksioni, por nga histamina që prodhon trupi.
Specialisti i mjekësisë bimore Ylli Merja, rekomandon trajtimin e menjëhershëm të vendit të pickuar nga mushkonja:
– Shplarja me ujë të ftohtë
– Pluhurosja me pak sodë buke ose uthull molle dhe ujë në raportin 1 me 1, ose xhel aloe vere
– Pika propolisi me rigon përhapen te vendi i pickimit
– Krem i puçrave me livando mbron dhe largon mushkonjat. Hedhim në sipërfaqe të kremit 5-6 pika esencë livando, e përziejmë pak dhe vendosim kremin në fytyrë dhe trup.
Për të mbajtur larg mushkonjat, sigurisht që mënyra më efikase dhe më e mirë janë një grup bimësh, aromat e të cilave janë të papëlqyera për mushkonjat duke i bërë të largohen menjëherë.
“Borziloku, ideale do të ishte të mbillnim një vazo të vogël dhe ta mbajmë në shtëpi. Gjithashtu barbarozën, mund ta mbjellim në vazo të vogla. Degët e domates janë shumë të mira për të larguar mushkonjat, mund të mblidhen si tufë dhe i varim në dritare. Një tjetër bimë është ekualipsi, gjethet e së cilës lëshojnë një aromë të rëndë për mushkonjat, në pamundësi të gjetheve mund të përdorim nga 5-6 pika vaj esencial në trup. Limoni është gjithashtu shumë i mirë, mund të vendosim 5-6 pika në një krem dhe të lyhemi, apo mund të aromatizojmë ambjentin me avull nga zierja e lëkurave të limonit” thotë Merja. Të tjera bimë janë dhe pelina e ëmbël, livando, vanilja, karafili, por dhe hudhrat dhe speci djegës.
Në mbyllje të bisedës Merja tregon gjithashtu për grackat që mund t’u ngrihen mushkonjave për t’i mbajtur larg shtëpive tona. Së pari një ndriçim me dritë blu do të ishte shumë i mirë, sidomos për oborre apo lokale. Ndërsa një ‘grackë’ për mushkonjat, të cilën mund ta varim në ballkon ose pranë një dritareje, e përgatisim fare lehtë duke marrë një shishe plastike, bëjmë dy çarje si dritare në anësore dhe hedhim brenda shishes 50 ml ujë, 2-3 lugë gjelle sheqer, 50 ml uthull molle dhe 25 ml verë ose kola. Gazi karbonik që lëshohet nga kjo përzierje tërheq mushkonjat duke i bërë që të bien menjëherë në grackë./Shqiptarja.com