Transgjinorja Linda Rei ka rikthyer vëmendjen e publikut pas largimit të saj nga Big Brother VIP Kosova 4, duke bërë një sërë akuzash të forta ndaj produksionit të spektaklit.
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, ajo shprehet se është ndjerë e lënë pas dore në momentin e daljes dhe gjatë trajtimit të situatës shëndetësore.
Sipas Lindës, në momentin që është larguar nga shtëpia, ajo është veshur “me pantofla”, duke sugjeruar se nuk i është ofruar as kujdesi minimal për t’u larguar në mënyrë dinjitoze.
Ajo ka theksuar gjithashtu se “hotelin e kam paguar vetë”, duke nënkuptuar mungesën e mbështetjes financiare nga ana e produksionit.
Më serioze janë pretendimet e saj lidhur me gjendjen shëndetësore.
Linda deklaron se vuan nga diabeti dhe se i nevojitet insulinë, por sipas saj, produksioni nuk ia ka siguruar medikamentin jetik për më shumë se 12 orë, pavarësisht kërkesave të përsëritura. Ajo e cilëson këtë vonesë si të papranueshme dhe të rrezikshme për jetën e saj.
Gjithashtu ajo thotë se duhet të jesh i etur për famë të durosh dhunën psikologjike e fizike, por për këto ka zgjedhur të flasë më vonë.





