Pak ditë pasi Beatriçe Gjergji përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision me këngën “Zjerm”, një intervistë prekëse e babait të saj, Mario Gjergji, ka prekur zemrat e publikut.

I ftuar në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, Mario ndau rrëfimin personal për rrugëtimin muzikor të vajzës së tij dhe lidhjen shpirtërore të familjes me muzikën.
“Muzika është në gjak tek ne,” tha ai me krenari. “Në familjen Gjergji këndojnë të gjithë… thoshin dikur me shaka: tek ata këndojnë edhe pulat. Ne hamë bukë me muzikë.”
Mario tregoi se talenti i Beatriçes ka qenë i dukshëm që në fëmijëri, kur ajo kompozonte melodi të vogla dhe këndonte me pasion. Por pavarësisht lidhjes së saj me artin, ai ndiente shqetësim për shkëputjen e mundshme nga rrënjët shqiptare.
“E rritur me këngë shkodrane, ia injektoja sa më shumë, por nuk i pëlqente shumë muzika jonë… Kishte një zë të bukur, por më dukej sikur po më dilte ‘nga shinat’,” tha ai, duke kujtuar vitet e hershme të vajzës që u rrit në Itali, mes muzikës italiane dhe angleze.
Gjithçka ndryshoi kur Beatriçe u njoh me producentin Kola, të cilin Mario e cilëson si “pikë kthese” në karrierën e saj. Me ndihmën e tij, ajo gjeti balancën mes origjinës dhe stilit modern, duke sjellë një identitet autentik në skenë.
Sot, Beatriçe është jo vetëm krenari për familjen, por edhe për një Shqipëri të tërë që e pa të ngjitej në një prej skenave më të rëndësishme muzikore në botë – duke dëshmuar se talenti, rrënjët dhe përkushtimi janë një kombinim që ndez “Zjermin” e suksesit.