Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se duke nisur nga 1 janari 2026, paga minimale në vend do të rritet në 500 euro, duke përfshirë rreth 307,850 punonjës.
Kreu i qeverisë theksoi se kjo do të jetë vetëm rritja e parë gjatë mandatit të katërt, pasi synimi është që paga minimale të arrijë 700 euro në vijim.
Në prezantimin e projektbuxhetit 2026, Rama u ndal edhe te pensionistët, duke theksuar se “pjesën e luanit” e zë mbështetja për ta, me 1.7 miliardë euro shtesë deri në vitin 2030 përmes rritjeve graduale të pensioneve dhe indeksimeve vjetore.
Ai shtoi gjithashtu se qeveria do të subvencionojë për nëntë muaj me 90 milionë euro shtesën e kostos së sigurimeve për punonjësit në sektorin privat.
Edi Rama: Pjesën e luanit në projekt buxhetin 2026 që sapo ka shkuar në parlament e zënë pesnionistët.
E nisim vitin e ardhshëm me 100 mln eruo shtesë përveç indeksimit. Në 2027 e dyfishojmë shtesën 200 mln euro plus indeksimi 45 mln euro. Në 2028 e trefishojmë 300 mln euro, plus indeksimi 46 mln euro. Në 2029 e katërfishojmë 400 mln euro plus indeksimi 47 mln euro dhe në 2030 e pesëfisohmë 500 mln euro plus indeksimi 48 mln euro.
Pra janë 1.7 mld euro më shumë që pensionistët do të marrin mbrapsht nga investimi i tyre për mandatin tonë të katërt. Por nga 1 janari 2026 do të rritet dhe paga minimale për 307.850 punonjës të cilët do të marrin shumën e premtuar 500 euro.
Kjo do të jetë e para por jo e vetmja rritje e këtij mandati. Paga minimale do të arrijë 700 euro. Siç e kemi premtuar qeveria do të subvencionojë për një periudhë 9-mujore me 90 mln euro edhe shtesën e kostos së sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat./vizionplus.tv





