Brad Arnold, themeluesi dhe solisti i grupit të njohur rock 3 Doors Down, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga vetë banda përmes një postimi në Instagram.
“Me zemra të thyera ndajmë lajmin se Brad Arnold, themelues, këngëtar dhe autor këngësh i 3 Doors Down, u nda nga jeta të shtunën, më 7 shkurt,” thuhet në reagimin e grupit.
Arnold humbi jetën pas një beteje me kancerin e veshkave. Ai ndërroi jetë në gjumë, i rrethuar nga bashkëshortja Jennifer dhe familjarët.Këngëtari ishte një nga figurat më të rëndësishme të rock-ut të viteve 2000, duke lënë pas hite që dominuan radiot në mbarë botën, si “Kryptonite,” “Here Without You” dhe “When I’m Gone.”
Sipas bandës, Arnold e kishte shkruar këngën ikonike “Kryptonite” gjatë një ore algjebre në shkollën e mesme, kur ishte vetëm 15 vjeç, një këngë që më vonë do të bëhej simbol për një brez të tërë.





