Dy turiste ukrainase, nënë e bijë, u transportuan me urgjencë drejt spitalit pasi rrezikuan që të mbyteshin në një prej plazheve të Vlorës.
Për fat të keq 44-vjeçarja ukrainase ka ndërruar jetë ndërsa vajza e saj 18-vjeçare ndodhet ende në intubim në gjendje kritike për jetën. Ato janë nxjerrë nga uji nga Fitim Bozheku, i cili punon si mirëmbajtës i çadrave të zonës së plazhit. Trupi i 44-vjeçares do të dërgohet në morgun e Tiranës.
Lidhur me këtë ngjarje ka folur për mediat shefi i Reminacionit të spitalit të Vlorës, Edmond Breshanaj, i cili ka deklaruar se 44-vjeçarja ka mbërritur në spital pa shenja jete. Ndërkohë vajza 18-vjeçare pësoi gjendje kome, ndërsa tashmë gjendja e saj është e qëndrueshme dhe se ka shanse për të mbijetuar.
“Të dyja nënë e bijë erdhën në spital rreth orës 12:00 në gjendje shumë të rëndë. Pacientja 44-vjeçare erdhi pa shenja jeta, bëmë çdo gjë por nuk arritëm ta rikthenim në jetë.
Vajza 18-vjeçare edhe ajo erdhi në gjendje kome, po pas ndërhyrjes filloi të reagonte pas një ore- pasi tensioni i shkoi 11. Tani gjendja e vajzës është e qëndrueshme, ka mundësi që të mbijetojë”, tha Edmond Breshanaj.