Konflikti Izrael-Hamas i ka sjellë humbje shumë të mëdha 36-vjeçarit nga Gaza, Khalil Khade.
Teksa ka qenë duke ushtruar profesionin e tij si inxhiner elektronik në spitalin Al-Najjar në Rafah, një bombë ka shpërthyer në afërsi të shtëpisë së tij.
“Një bombë e fuqishme shpërtheu. Fqinjët e mi po vinin në spital.
Kështu që unë pyeta: Ku ishte bombardimi? Dhe ata më thanë: “Ishte rreth shtëpisë sate”. M’u desh të vrapoja në vendndodhje për të kontrolluar familjen. U përpoqa të telefonoja, por askush nuk po përgjigjej.
Dhe siç mund ta shihni… e gjithë shtëpia ishte bombarduar”, tregon ai për BBC News.
Njëmbëdhjetë anëtarë të familjes së tij u vranë, në mes të viktimave ishin katër fëmijët e tij, dy motrat e tij, babai i tij 70-vjeçar, vëllai dhe kunata e tij dhe dy vajzat e tyre.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij u plagos rëndë. Ajo po trajtohet për djegie dhe lëndimet e tjera të marra nga shembja e shtëpisë.
“Unë kisha ëndrra për secilin nga fëmijët e mi. Ibrahimi ishte i pari në shkollën e tij dhe unë ëndërroja ta shihja atë si mjek një ditë. Amal ishte shumë kreative, i pëlqente të vizatonte.
Dhe më tregonte vizatimet e saj. Kinani ishte shumë lozonjar – të gjithë e donin. Dhe ai kujdesej për motrën e tij të vogël. Ai ishte gjithmonë aty për të mbrojtur Rozën dhe thoshte: “Mos e prek, ajo është fëmija im!” Dhe tani ata janë zhdukur të gjithë”, rrëfen mes dhimbjes 36-vjeçari.
Khalili është ende në kërkim të trupit të motrës së tij nën rrënoja./tvklan.al