Ndarja e papritur nga jeta e Shpat Kasapit ka bërë që të rikthehen në vëmendje intervistat e tij të fundit, të cilat sot, pas tragjedisë, marrin një peshë krejt tjetër emocionale.
Në një rrëfim të sinqertë të bërë pak kohë më parë për “T7”, artisti kishte folur hapur për raportin e tij të ngushtë me besimin dhe Zotin, duke treguar se lutja ishte mekanizmi i tij për të përballuar stresin dhe vështirësitë e jetës.
Ai shprehej: “Zoti është krijuesi jonë… mundohem ta menaxhoj gjithmonë situatën për të cilën jam duke u stresuar në atë moment, ose duke i qëlluar asaj ngjarjes që më ka ndodh diçka… mundohem e menaxhoj mirë me ato metodat e mia.”
Por pjesa më prekëse mbetet lutja specifike që ai bënte çdo ditë për familjen e tij, bashkëshorten Selvijen dhe djalin Roelin, fjalë që sot tingëllojnë rrëqethëse.
“Unë lutem për veten, për familjen, për djalin tim, për Selvën, për nënën time, vëllain, për gjithë dashamirët që i kam. Lutem gjithmonë që të më ruajë Zoti.
Kjo është lutja e parë që bëj: ‘O Allah, më ruaj nga të këqijat që i ke krijuar dhe që krijohen nga krijesa të ndryshme. Ti je Mëshiruesi, Mëshirëbërësi’, e kështu me radhë. ‘Na fal për të gjitha mëkatet, nëse bëjmë ndonjë mëkat, më fal’,” deklaronte artisti.
Këto fjalë dëshmojnë anën e tij të thellë shpirtërore dhe përkushtimin ndaj familjes, të cilën fatkeqësisht e la pas në mënyrë të parakohshme.





