Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjete sociale hartën me aplikimet lidhur me Paketën e Maleve, ligj i cili i hap rrugën investimeve në agroturizëm.
Kryesocialisti tregon se në vetëm 5 ditë, numërohen 787 aplikantë, një interes i lartë ky i shprehur lidhur me investimet, zhvillimet dhe ndërtimet në zonat malore e kodrinore të Shqipërisë.
E ndërsa përgjatë ditëve të fundit shembjet e ndërtimeve pa leje në Theth kanë shkaktuar bujë të madhe, kryeministri thekson në reagim se të gjithë të interesuarit janë të ftuar të aplikojnë dhe mbi të gjitha të ndërtojnë ME LEJE, “duke përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe linja e kredisë së butë të Bankës së Shqipërisë.”
“Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve, ku në vetëm 5 ditë numërohen 787 aplikantë.
Të gjithë emigrantët posaçërisht, po edhe të gjithë ata që jetojnë në Shqipëri e duan të rihapin derën e shtëpisë së të parëve në mal a në zonat kodrinore të vendit, për një bujtinë, një agroturizëm, një hotel malor, një fermë apo një linjë agropërpunimi, janë të ftuar të aplikojnë dhe ndërtojnë ME LEJE, duke përfituar nga mbështetja e qeverisë dhe linja e kredisë së butë të Bankës së Shqipërisë”, shkruan Edi Rama.