Një përleshje e dhunshme ka ndodhur pranë një hoteli në Dhërmi, duke tronditur pushuesit vendas dhe të huaj.

Ngjarja është filmuar dhe pamjet janë bërë publike nga JOQ, ndërsa në to shihen qartë persona që përfshihen në përplasje fizike me grushte dhe shkelma.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se në konflikt janë përfshirë djemtë e ish-Miss Shqipëria Valbona Selimllari, Deni dhe Kejni, si dhe nipi i ish-deputetit Mark Frroku, Leon Frroku.

Sipas dëshmitarëve, shkak i sherrit ka qenë një vajzë dhe një konflikt i mëparshëm mes palëve.

Sipas një dëshmitari që ndodhej në vendngjarje, “ai që është rrahur është Deni Selimllari, ndërsa agresori është Leon Frroku. Vëllai i Denit, Kejni, ka qenë gjithashtu prezent në përplasje.”

Një tjetër dëshmitare për JOQ konfirmon identitetet dhe thotë se personi që shfaqet mbi makinë është Leon Frroku, ndërsa ai që bie në tokë është Deni Selimllari. Incidenti ndodhi në një nga zonat më të frekuentuara të bregdetit shqiptar, përballë dhjetëra turistëve.

Pavarësisht se pamjet kanë qarkulluar gjerësisht në rrjet, deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga policia.

 

×