Përkeqësohet situata e zjarreve, flet banorja e tmerruar ‘Nuk na ka mbetur më asgjë, na u dogjën: shtëpi, bagëti e pasuri…’

0

Situata me zjarret në vend vijon të përkeqësohet nga momenti në momenti, ku deri tani numërohen 30 vatra aktive të konfirmuara nga Ministria e Mbrojtjes.

Flakët kanë përfshirë një sërë zanash, ndërsa fshati Skënderbegas në Gramsh është ndër më të prekurit, ku janë evakuuar të gjithë banorët.

Sipas informacioneve zyrtare, 8 persona ndodhen në gjendje kritike për jetën si pasojë e asfiksimit dhe djegieve, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje urgjente që banorët e zonave të rrezikuara të braktisin banesat e tyre për të shmangur tragjedi.

Një banore e evakuuar nga Skënderbegasi, ka rrëfyer momentet dramatike kur zjarri i favorizuar nga era e fortë, përfshiu me shpejtësi fshatin, duke shkrumbuar gjithçka: shtëpi, bagëti dhe çdo bimësi.

“Era e solli zjarrin aty. U dogjën shtëpitë e para. Kur u afruan afër shtëpive tona, i thashë burrit që të largoheshim. Dolëm mes flakëve dhe tymit. Shtëpitë kanë mbaruar, bagëtitë, lopët, viçat, gomarët. Të tërë ikën. Vetëm një të moshuar nuk e kemi parë, a doli a s’doli.

Atje te ne s’ka mbetur asgjë. Në fshatin tonë s’ka mbetur asnjë shtëpi. Komplet fshati ka mbaruar. U dogj një komunë e tërë. Nuk di çfarë të them…”, u shpreh banorja.

Autoritetet lokale dhe forcat zjarrfikëse po punojnë me kapacitete të kufizuara për të vënë nën kontroll flakët.

×