Një krim brenda familjes ndodhi pasditen e djeshme në Pogradec, në fshatin Stropckë, ku 83-vjeçari Agim Shkullaku qëlloi me armë të birin, Përparim Shkullaku.
Fqinjët jashtë kamerave kanë treguar se menjëherë pasi kishte qëlluar dy herë mbi trupin e të birit,
ende pa mbërritur ambulanca dhe policia, i moshuari ka shkuar në dyqanin e lagjes për të blerë biskota.
Në këtë moment ai u ka thënë fqinjëve fjalinë: “Do të më duhen sot për në komisariat”.
Ky veprim ka çuditur fqinjët, të cilët pavarësisht ngjarjes, kanë lajmëruar menjëherë policinë e cila ka bërë të mundur arrestimin e menjëhershëm të 83-vjeçarit.
Konflikti mes babait dhe djalit ka ndodhur për motive banale, pasi ky i fundit në gjendje të dehur ka goditur fizikisht të atin, ndërsa i moshuari ka marrë armën e gjahut dhe e ka plagosur.
Një prej të afërmve të familjes, duke folur pas ngjarjes është shprehur se djali ka qenë i pirë dhe e ka goditur fillimisht babanë, ndërkohë që më herët nuk ka pasur konflikte mes tyre.
“Gruaja më tha. Dëgjoi që qanin aty dhe më tha kështu kështu. Erdhi ambulanca dhe e mori. Kur vajta unë aty kishte njerëz.
Ne i kemi kushërinj, janë të mirë, si të gjithë njerëzit. Nuk është gjë e mirë ajo që ndodhi, që të arrijë deri aty
. Konflikte edhe mund të kenë pasur me njëri-tjetrin, por ne nuk e dimë. Nuk hymë në shtëpinë e tyre dhe t’i pyesim si i keni hallet, kështu që… Siç thonë djali kishte qenë i pirë dhe kishte goditur të atin”, u shpreh nipi i autorit të plagosjes.
Ndërkohë, 47-vjeçari i plagosur është transportuar me helikopter për në Spitalin e Traumës në kryeqytet.