Një ngjarje që mund të kishte përfunduar në një tragjedi të vërtetë, është parandaluar dje në kryeqytet, në Tiranë. Autoritetet bëjnë me dije se kanë arrestuar në kushtet e flagrancës shtetasin me iniciale A. Ll., 42 vjeç.
Referuar njoftimit zyrtar të Policisë së Tiranës, ky person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij dhe menjëherë më pas, ka tentuar të djegë atë dhe shtëpinë ku jetonin.
Rasti është ndjekur nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, të cilët menjëherë pas informacioneve të siguruara, kanë kryer arrestimin e autorit të dyshuar. Edhe bashkëjetuesja e 42 vjeçarit është pyetur nga Policia.
Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi në 24 orët e fundit, Policia e Tiranës ka arrestuar dy shtetas dhe ka proceduar një tjetër, për dhunë ndaj bashkëshortes, ish-bashkëjetueses dhe familjarëve të saj, apo dhe ndaj shtetaseve të tjera.
Respektivisht, bëhet fjalë për këta shtetas:
1. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin: – A. Ll., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe ka tentuar të djegë atë dhe banesën e tyre;
2. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4: – Arrestuan shtetasin S. V., 63 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
3. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6: – Arrestuan shtetasin A. L., 39 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëjetueses së tij si dhe ka thyer urdhërin e mbrojtjes ndaj babait të saj;
4. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5: – Referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. S., 49 vjeç, pasi për motive të dobëta ka goditur një shtetase.
Materialet procedurale për rastet e mësipërme i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.