Hilsn

Pusho i qetë Kreshnik, fëmijët e tu u bënë me strehë! Lot dhe emocione, shqiptarët u ndryshojnë jetën 3 vajzave të mitura

Me ndihmën e mijëra shqiptarëve zemërgjerë, tre fëmijët e Kreshnik Tomanit, babait që ndërroi jetë tragjikisht në kulmin e rinisë, morën një dhuratë që i ndryshoi jetën, një shtëpi të re.

Në një natë plot emocione dhe lot gëzimi në emisionin “Për Shqiptarët”, u përmbush amaneti i Kreshnikut, që fëmijët e tij të kishin një strehë të sigurt dhe një të ardhme më të mirë.

Dy vajzat dhe djali i vogël, të veshur me bluza që mbanin portretin e babait u përqafuan me nënën, ndërsa publiku dhe ndjekësit e emisionit përjetuan një nga momentet më prekëse të sezonit.

Në studio, themeluesi i Fondacionit Firdeus, Elvis Naçi, shtypi butonin simbolik që shpalli dhurimin e shtëpisë, duke thënë vetëm një fjali: “Ta gëzoni shtëpinë tuaj të re!”.

Por kjo nuk ishte e vetmja dhuratë që iu bë familjes. Këngëtarja e dashur Aurela Gaçe u shfaq në skenë për të surprizuar Nikitën, vajzën 10-vjeçare të Kreshnikut, me një bursë të plotë për kurs pianoje, duke i hapur rrugën ëndrrës së saj për t’u bërë këngëtare një ëndërr që i ati e kishte ndjekur me çdo sakrificë. Një tjetër moment që preku zemrat e publikut ishte kur Kejsi.

Vajza jetime në moshën e Nikitës, hyri në studio me dy papagallë në duar, dhuratën e fundit që Kreshniku i kishte premtuar të bijës, por që nuk arriti dot t’ia blinte.

Një premtim i thjeshtë, por me peshë të madhe shpirtërore, u çua në vend nga një fëmijë që e njihte nga afër dhembjen e humbjes. Ishte një natë ku dhimbja u shndërrua në dritë, ku shqiptarët treguan fuqinë e solidaritetit.

Prehu në paqe Kreshnik, fëmijët e tu tashmë kanë shtëpinë që ëndërroje për ta. Amanetin tënd e përmbushën shqiptarët me zemër të madhe!