Sulmi i qenit Pit Bull i ndodhur në 2 nëntor 2023 në qytetin e Durrësit, i ka sjellë dëme të pariparueshme ndaj shëndetit të moshuarit Halil Basha.
Sipas “Ora News”, 84-vjeçari ka humbur njërin nga veshët dhe protezat e dhëmbëve.
Veshi dhe dhëmbët i janë shkulur pikërisht nga qeni i Armand Lalës, ky i fundit tashmë i proceduar për akuzën e “Braktisja e kafshëve të shoqëruara”.
Hetimi i këtij rasti po ndiqet nga prokurori i Durrësit, Madrit Kullolli, i cili pritet që në ditët në vijim të kërkojë një ekspertim mjeko-ligjor të personit të dëmtuar, Halil Basha.
Ngjarja është paralajmëruar nga nipi i dëmtuarit Halil Basha, Bashkim Basha, i cili para se t’i ndodhte sulmi i qenit ndaj xhaxhait të tij, kishte takuar Armand Lalën,
duke i thënë dhe këshilluar që të bënte kujdes me tre qentë, se do të kafshojnë banorët e zonës.
Por pronari i tre qenve, i ka thënë se jashtë nuk sulmojnë njeri me përjashtim në pjesën e brendshme të oborrit. Sipas Bashkim Bashës, ka qenë Xhevahire Lami që e ka njoftuar se qeni i kishte sulmuar xhaxhain.
“…unë kam dalë menjëherë për të ikur, kur më ka ardhur një femër e lagjes, e cila më ka thënë se:”…merri kapelën dhe dhëmbët se janë të xhaxhait tuaj Halil Basha…”.
Unë kam parë ambulancën duke qëndruar aty dhe pastaj ambulanca është larguar në drejtim të spitalit…”.
Basha, duke u gjendur në këto kushte ka shkuar menjëherë në spitalin rajonal Durrës dhe ka parë xhaxhain e tij Halil Basha, të kafshuar nga qeni në kokë dhe në disa vende në trup, duke i këputur dhe njërin vesh.
Në deklarimin ndaj të cilit zhvillohen hetimet, shtetasit Armand Lala ka deklaruar se në lidhje me ngjarjen ka thënë se:
‘Ai banon në adresën e lartpërmendur dhe ka 3 (tre) qenë Pit-bull, ku dy janë me ngjyrë kafe, ndërsa njëri është me ngjyrë të bardhe.
Ai këta qen i ka marrë që këlysh të vegjël dhe i ka rritur vetë, ku sot janë rreth 2 vjeç. Ai banesë ku jeton, ia ka marrë me qera shtetasit Fatmir Jakupi Mynevere Jakupi në muajin Mars 2023.
Ai sot ka qenë në punë dhe ka lënë 3 (tre) qentë brenda rrethimit të banesës dhe ka kur ka ardhur nga puna i kanë thënë komshinjtë se, qeni i bardhë ka sulmuar dhe kafshuar shtetasin Halil Basha i moshuar, të cilit i ka këputur edhe veshin dhe ndodhet në spital.
Ai deklaron se i vjen keq për shtetasin Halit Basha, të cilin e ka kafshuar qeni im i bardhë “Pit-bull”, banorë të cilin ai e njeh dhe është i moshës së thyer.
Ai i kërkon ndjesë për dëmtimin që i ka bërë qeni i tij’.