Hilsn

‘Riza, vajzat na lanë!’ Mes lotësh dhe dhimbjes flet babai i dy vajzave që vd*qen tragjikisht ‘E nëse e fal unë, nuk e fal shpirti…’

Mbrëmja e 24 gushtit do të mbahet mend gjatë për aksidentin tragjik që u mori jetën motrave Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe.

Një ‘Audi’ i drejtuar nga Kevi Norra i erdhi përballë automjetit “Lancia” të drejtuar nga Elvisa dhe në pamundësi për ta shmangur, humbën jetën në vend. Por historia e dhimbshme për familjen Dhimaku nuk përfundon me kaq. Dy të rejat shisnin shishqebap, bukë me qofte e misra në Sarandë me qëllim mbledhjen e parave për kurimin e vëllait të tyre 7-vjeçar, i cili vuan nga leuçemia.

Kurimin e Islit e ka marrë përsipër tashmë Fondacioni Firdeus i drejuar nga Elvis Naçi. Në emisionin “Për Shqiptarët”, babai i dy vajzave ka dërguar një letër të hapur, i cili me dhimbje ka ndarë dhe momentin e marrjes së lajmit të kobshëm.

“Kur u ndava për herë të fundit nga vajzat e mia, më kërkuan një darkë, vetëm një mbrëmje me mua. Më folën me një zë që më dridhet ende në shpirt: ‘Dalim babi, të lutem, se ndoshta nuk shihemi më’. E dinin që do shkoja në stan, në mal, ku rrija më shumë se një muaj. Ndoshta e ndjenin diçka, një parandjenjë që unë e injorova.

Nuk pranova. Jo se nuk i doja por se nuk munda ta harxhoja lekët e vajzave të nxjerra me aq sakrifica. Ishim në luftë me leuçeminë e djalit të vogël, Islit. Dhe mendova se ishte më mirë të kurseja. Silueta e tyre më është ngulitur në mendje e shpirt. Qëndronin te dera, të heshtura me kokën ulur. I përshëndeta me dorë dhe humba pas kthesës së rrugës. Ngjita malin në këmbë, drejt stanit, 3 orë ecje mes ferrave, shkurreve në terrenin e thepisur. Ishte ora 20:30 kur më ra telefoni. Një zë i trazuar më tha: ‘Ka ndodhur një aksident, por nuk jemi të sigurt; mund të jenë vajzat e tua’. M’u ngri zemra. Elvisa dhe Rozina, a janë mirë? A janë gjallë?

Vapova nëpër natë, në terr, nëpër gurë e humnera për të mësuar të vërtetën. Nuk më mbante më toka, më mbante vetëm dhimbja. Në gjysmën e rrugës, një therje më çau kraharorin, si një parandjenjë tragjedie. Pas vetëm dy minutash, një tjetër telefonatë. E hapa me duart që më dridheshin e atë zë s’do e harroj kurrë: Riza, bëhu i fortë, vajzat na lanë”. Në atë natë të zezë, mes askundit, humba gjithçka. U ula aty, nuk doja të ngrihesha më. Zbritjen nga mali që zgjat tre orë, e bëra për një orë e gjysmë i shkatërruar, por i gjallë për të parë vdekjen me sytë e mi.

Flinin mbi xhupat e prindërve, të shtruar mbi gurë. Me duar të njoma mblidhnin çaj dhe e shisnin. Edhe sot, në muret e shtëpisë së tyre, varen tufat e fundit të çajit që ato mblodhën para se të ndodhte aksidenti. Kishin zgjedhur të ndihmonin familjen por dhe të përqafonin rrugën e dijes. Elvisa kishte mbaruar studimet për Teknik Laboratori, në 1 shtator do të fillonte punë. Ndërsa Rozina këtë vit do të ishte në vitin e tretë për infermieri. Dëshironin të vazhdonin ëndrrat për t’u bërë dikushi, por mbi të gjitha, një ditë të mund të shëronin vëllain e tyre nga leucemia”, shkruan babai i motrave Dhimaku.

Me lot në sy, i shkatërruar nga humbja e dy vajzave, që u shuan në lule të rinisë në një aksident automobilistik, Riza Dhimaku dha një mesazh të fortë për emisionin “Për shqiptarët”.

Jeta e Elvisës dhe Rozinës u ndërpre pabesisht pasi një automjet i preu rrugën. Në videomesazhin e tij, Rizai apelon për kujdes në drejtimin e mjetit, për të parandaluar tragjedi se kjo e familjes së tij.

“Të gjithë jemi me makina, të gjithë jemi shoferë. Pas atij aksidenti, kanë ndodhur aksidente të tjera në zonën tonë. Ju lutem ikni me mend në kokë, nuk ju ka borxh askush. Çdo gjë vjen nga shpejtësia dhe alkooli. Nuk ka gjë që mund ta falë, e gjykon Zoti. Unë mund ta fal, por nuk fal zemra, nuk fal shpirti… Sot më ndodhi mua, nesër mund t’i ndodhë një tjetri. Mos dëgjofshim më, mos ndodhshim më ngjarje të tilla”, theksoi Riza Dhimaku.

×