Hilsn

Sherri i madh në Rinas! Reagon policia: 18 veta donin të bënin bashkë…

Një përleshje masive ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 6 shtatorit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Rinas, gjatë procesit të imbarkimit të pasagjerëve që udhëtonin me çarter në drejtim të Antalisë.

Sipas informacionit të bërë publik nga Policia e Shtetit, konflikti ka shpërthyer pasi disa pasagjerë kanë kërkuar të kalonin bashkë pa radhë për shkak të fëmijëve të vegjël që kishin me vete.

Në pamundësi për të zgjidhur situatën, punonjësit e check-in kërkuan ndihmën e forcave të policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas kanë ndërhyrë në kohë dhe kanë mbyllur përplasjen mes pasagjerëve dhe stafit të aeroportit.

Pas ndërhyrjes së policisë, situata është normalizuar dhe udhëtimi ka vijuar pa ndonjë pengesë të mëtejshme.

Policia nuk ka raportuar për të lënduar gjatë incidentit, ndërsa hetimet për shkaqet e plota të këtij konflikti janë ende duke vazhduar.

“Kryefamiljari, shtetasi A. M., dhe djemtë e tij, që po udhëtonin familjarisht (rreth 18 shtetas, familjarë bashkë me fëmijë të mitur) për pushime në Antalia, Turqi, u kanë kërkuar falje punonjësve, të cilët nuk kanë dashur të ushtrojnë të drejtën e ankimit dhe të vijonin më tej procedurat për këtë rast.

Duke parë reflektimin pozitiv të familjarëve dhe duke marrë parasysh faktin që kishin edhe fëmijë të mitur me vete, si dhe faktin që punonjësit nuk donin të bënin kallëzim, punonjësit e Policisë Kufitare të Rinasit i kanë këshilluar për moskryerje të veprimeve të tilla dhe i kanë lejuar të vijonin udhëtimin. Sqarojmë faktin se pretendimet se personat e përfshirë në konflikt janë familjarë të shtetasit Xh. Q., nuk janë të vërteta”, sqaron policia.

 

×