6 atentate me armë zjarri, 7 persona të vdekur dhe 2 të plagosur, ky është bilanci i ngjarjeve kriminale që kanë tronditur Shkodrën e rrethinat e saj nga janari e deri në shtator të këtij viti.
Nga vrasje për çështje nderi, tek ato për motive pronësie, hasmëri të vjetra e larje hesapesh nga grupet kriminale, Shkodra nuk po gjen qetësi.
Më 4 janar 2025 në orët e para të mëngjesit u gjet i vrarë me armë zjarri në automjetin e tij në Dragoç të Postribës 33-vjeçari Ramazan Mataj. I riu u gjet pa shenja jete nga një banor i zonës, i cili njoftoi policinë, ndërsa familjarët deklaruan se në dijeninë e tyre 33-vjeçari nuk ka pasur konflikte me askënd.
Pak ditë më pas, policia ra në gjurmët e autorëve, duke arrestuar dy vëllezër Arjon dhe Klisman Hasaj. 29-vjeçari Arjon Hasaj pranoi autorësinë e krimit, ku në dëshminë e tij përpara togave të zeza tha se e vrau 33-vjeçarin Ramazan Mataj sepse kishte një lidhje intime me motrën e tyre dhe në 6 vitet e fundit i kishte prishur asaj 2 martesa. 23-vjeçari Klisman Hasaj u arrestua si përkrahës i autorit të krimit sepse pas ngjarjes ndihmoi të vëllanë të fshihte armën e krimit.
Më 28 shkurt 2025 rreth orës 14:50 u gjet i vrarë në oborrin e banesës së tij, 20-vjeçari Pavlin Preka. 20-vjeçari u gjet nga xhaxhai i tij pa shenja jete, ndërsa grupi hetimor ngriti dyshimet se i riu ishte vrarë disa ditë përpara se të gjendej nga të afërmit. Pavlin Preka jetonte me babanë dhe vëllanë mes Dukagjinit dhe fshatit Guci e Re, ndërsa vrasja ka mbetur pa autor.
Më 5 gusht 2025 në Paçram të Vaut të Dejës u ekzekutua me armë zjarri me silenciator 65-vjeçari Frrok Lleshaj. Pista kryesore e vrasjes për policinë mbetet gjakmarrja. Frrok Lleshaj ishte në hasmëri me kushërinjtë e tij, si dhe me një shtetas nga Puka. Hasmëria brenda fisit Lleshaj nisi në vitin 1991, pas vrasjes së djalit të Frrok Lleshajt në Greqi në vitin 1991, vrasje për të cilën ai akuzonte kushëririn e tij. Nga kjo hasmëri janë shkaktuar 5 viktima, ku Frrok Lleshajt veç djalit i kanë vrarë edhe vëllanë. Gjithashtu i vrarë ka mbetur edhe kushëriri i tij Dodë Lleshaj dhe një shtetas nga Puka. Edhe kjo ngjarje vijon të mbetet pa autor.
Më 28 gusht 2025 në Abat të Postribës u vra me armë zjarri 61-vjeçari Pirro Prroni, ndërsa një ditë pas vrasjes u vetëdorëzua në Policinë e Shkodrës, bashkë me armën e krimit autori i dyshuar Ndoc Maçaj. Shkak për vrasjen e 61-vjeçarit Pirro Prroni janë bërë konfliktet për pronat me Ndoc Maçajn.
Më 4 shtator 2025 pasi doli nga ambientet e një lokali ku ndodhej me 2 miqtë e tij, u qëllua me breshëri plumbash 34-vjeçari Kristian Kola. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se i riu është ekzekutuar nga vrasës me pagesë, ndërsa nuk ka precedentë të mëparshëm kriminal. Familjarët kanë deklaruar se Kristian Kola nuk pa pasur konflikte me askënd dhe kërkojnë nga autoritetet identifikimin e vrasësit edhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Më 8 shtator 2025 në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës mbetën të vrarë pas një sulmi me armë Armando Pali, Liridon Kraja alias Lusha, si dhe u plagosën Erogen Vaso alias Bajroviç dhe Meri Kacerri kamerierja që po shërbente në këtë subjekt.
Pak pas vrasjes policia kapi dhe arrestoi autorin Ragip Gila, i cili tentoi të largohej nga vendngjarja me një motor. Autori Ragip Gila në dëshminë e parë tha se shënjestër e sulmit të tij ishte Erogen Vaso alias Bajroviç, ndërsa ky i fundit mohon të ketë lidhje me grupet kriminale. Grupi hetimor ka dyshime se autori i masakrës Rakip Gila, që dyshohet si një nga ushtaret e grupit kriminal te drejtuar nga Lulzim Kulla, mund të jetë i përfshirë edhe në vrasjen e 34-vjecarit Kristian Kola.