Shpëtoi tre të plagosurit e aksidentit në Fier! Polici nderohet nderohet për guximin: Është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore

0

Inspektori i Policisë Klajdi Mustaj është nderuar me Certifikatën për Shërbime të Dalluara, pas një akti të jashtëzakonshëm guximi dhe profesionalizmi, ku shpëtoi tre qytetarë të plagosur gjatë një aksidenti të ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Levan-Fier.

Ngjarja ndodhi në zonën e Qafë Koshovicës, ku një automjet tip “Benz” humbi kontrollin, doli nga rruga dhe u përmbys. Brenda mjetit ndodheshin katër persona, tre prej të cilëve mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit për ndihmë mjekësore.

Falë reagimit të shpejtë dhe ndërhyrjes së menjëhershme të inspektorit Mustaj, të lënduarit u nxorën në kohë nga automjeti, duke shmangur pasoja edhe më të rënda për jetën e tyre.

Certifikata iu dorëzua nga drejtues të Policisë së Shtetit si një vlerësim për përkushtimin, humanizmin dhe kurajën në krye të detyrës. Ky akt është cilësuar si shembull frymëzues për të gjithë efektivët e rendit..

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda:

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve.

 

Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit.”

Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.

×